English

Prifti Prezanton Reformat Dhe Objektivat Në Sektorin Energjetik

TIRANE, 19 Maj/ATSH/. - Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, prezantoi sot reformat dhe objektivat në sektorin energjetik. I pranishëm në konferencën "Mbështetja italiane për integrimin e Shqipërisë në BE", ku ishte i ftuar dhe Kryeministri Sali Berisha, ministri Prifti tha se "qeveria shqiptare e ka konsideruar dhe konsideron si një ndër prioritetet e saj më të mëdha zhvillimin e sektorit energjetik". Sipas Priftit, rritja e sigurisë së furnizimit me energji elektrike ka qenë detyra kryesore e Strategjisë Kombëtare të Energjisë dhe është trajtuar në disa skenarë, për të realizuar një furnizim me kosto minimale dhe miqësor ndaj mjedisit. Ai e konsideroi si një hap me rëndësi përmirësimin dhe fuqizimin e infrastrukturës prodhuese dhe transmetuese të energjisë elektrike. Prifti theksoi rëndësinë e koncesioneve që janë dhënë në këto vite në sektorin energjetik dhe tha se një interes i madh po tregtohet për ndërtimin e parqeve të erës apo burimeve të tjera energjetike, kryesisht nga energjitë e rinovueshme. "Në këto kushte, mendojmë se shumë shpejt do të realizojmë synimin tonë, që nga një vend importues neto, që kemi qenë para disa vitesh, të kthehemi në një vend eksportues të energjisë elektrike, pavarësisht nga kushtet klimaterike", u shpreh ministri. Duke përmendur këto arritje, Prifti u shpreh se këto reforma do të vazhdojnë dhe qeveria do të jetë vazhdimisht në përsosjen e tyre, deri në arritjen e një pavarësie të plotë dhe reale të furnizimit të konsumatorëve me energji elektrike. Kjo, sipas ministrit, do të arrihet me përmirësimin e vazhdueshëm të kuadrit ligjor, sigurimin e financimit të shumë projekteve në sektorin e transmetimit të energjisë elektrike, si në linjat e interkonjeksionit me Maqedoninë dhe me Italinë, ashtu dhe me ndërtimin apo fuqizimin e linjave dhe nënstacioneve brenda vendit. "Ndërtimi i hidrocentraleve me koncesion do të jetë një objektiv i yni edhe në të ardhmen, sepse siguron jo vetëm ndërtimin e burimeve të nevojshme për vendin tonë, por që do të sigurojë energji elektrike edhe për rajonin tonë dhe më gjerë, me leverdi ekonomike për prodhuesit, duke qenë se do të jetë energji nga burime të pastra dhe që mund të shitet lehtësisht në periudha të mungesës së energjisë", u shpreh ministri Prifti./e.xh/s.s./
KOMENTE