English

Tajlandë - Kryeqyteti Nuk Është Ende Nën Kontroll, Digjen Rreth 20 Ndërtesa

BANGKOK, 19 maj /ATSH-AFP/ - Qeveria tajlandeze njoftoi sot se qyteti i Bangkokut ku ushtria ndërmori sot një operacion për shpërndarjen e manifestuesve nuk është plotësisht nën kontroll ndërkohë që rreth 20 ndërtesa janë përfshirë nga flakët. Sipas një zëdhënësi të qeverisë, Panitan Wattanayagorn, operacioni i ushtrisë solli rimarrjen e kontrollit të lagjeve kryesore, si kryqëzimi i Rajaprasongut dhe distrikti Lumpini që "këmishëkuqtë" i mbanin të pushtuara që prej gjashtë javësh. Të paktën katër manifestues janë vrarë gjatë operacionit si dhe një fotoreporter italian, njoftoi policia. "Në përfundim të operacionit, qeveria rimori kontrollin e Rajaprasongut dhe Lumpinit, por ka disa zona ku operacionet duhet të vazhdojnë", bëri të ditur zëdhënësi. Një ndalimqarkullimi, i pari që prej 15 vjetëve në Bangkok, pritet të hyjë në fuqi në orën 20:00 (13:00 GMT) deri nesër në mëngjes në orën 06:00. Rreth 20 ndërtesa janë përfshirë nga flakët sot në Bangkok, ndër të cilat Bursa e Bankokut, disa qendra tregtare dhe disa banka, disa orë pas shpërndarjes nga ushtria të manifestimit të "këmishëkuqve", njoftuan skuadrat zjarrfikëse të cilat i kërkuan qeverisë t'u bënte një ultimatum plaçkitësve dhe shkaktarëve të trazirave. "Qeveria i bën thirrje kujtdo që ndërmerr sulme t'i ndërpresë këto veprime, sepse liderët e tyre janë dorëzuar tashmë dhe kanë rënë dakord të fillojnë pajtimin kombëtar", deklaroi Panitan. Manifestuesit dogjën një televizion, Channel 3, në ndërtesën e të cilit rreth 100 persona u kapën në befasi, bënë të ditur zjarrfikësit dhe një gazetar i televizionit. Panitan shtoi gjithashtu se qeveria i ka urdhëruar të gjitha televizionet të transmetojnë programe të posaçme. /I.Pu.
KOMENTE