Lajme > Lajme Ditore > Prill - Qershor 2010 > Lajmet e datës 19 Maj 2010
 

Vlorë: Nis Kultivimi I Bimëve Medicinale, Synohet Krijimi I Një Tradite

VLORË, 19 maj/ATSH-H.Koçi/ - Në dy fshatra të rrethit të Vlorës, nisi sot kultivimi i bimëve medicinale të llojit sherebel, ndërkohë që financuesit e këtij projekti synojnë ta shndërrojnë atë në një traditë.

Kultivimi i bimëve medicinale do të realizohet fillimisht në një sipërfaqe prej 12 dynymë, në fshatrat Llakatund dhe Vranisht, respektivisht 15 km dhe 45 km në verilindje dhe juglindje të qytetit të Vlorës.

Arjana Bubeqi, drejtoreshë ekzekutive e Agjencisë së Zhvillimit Ekonomik Lokal (AULEDA), tha për ATSH-në se ky proces do të vazhdojë gjatë disa ditëve dhe ky projekt do të shërbejë si pilot për të zgjeruar këtë praktikë edhe në fshatra të tjera të këtyre zonave.

Sipas saj, me këtë investim që financohet nga GEF/UNDP (Programi për Zhvillim i OKB) me një vlerë prej prej 1.5 milionë lekësh, synohet gjithashtu krijimi i një tradite për këto zona, ku bimët medicinale rriten në kushte natyrore, si dhe shndërrimi i tyre në një burim të ardhurash për banorët.

Osman Ismailaj, pronari i parcelës ku nisi kultivimi i bimëve medicinale në fshatin Llakatund, tha për ATSH-në se, "sherebela kërkohet mjaft në tregun e bimëve aromatiko-vajore", prandaj dhe ai shpreson që të sigurojë të ardhura të konsiderueshme prej saj. Për këtë, kontribuoi në këtë projekt, duke siguruar pajisjet e ujitjes, plugimin e tokës dhe shërbimet e tjera.

Mbledhja dhe tregtimi i bimëve medicinale, është një aktivitet që po vjen duke u rritur në fshatrat e rrethit të Vlorës, veçanërisht në komunat që përfshihen në krahinën e Lumit të Vlorës. Aktualisht, funksionon edhe një rrjet grumbulluesish në këtë zonë, ndërkohë që bimët medicinale (aromatiko-vajore), rriten në kushte natyrore. Projekti i mësipërm synon gjithashtu që, paralelisht me këtë, fermerët vendas të përfshihen edhe në kultivimin artificial të këtyre bimëve, gjë që do të ndikojë edhe në ruajtjen e biodiversitetit natyror. Për këtë, në bashkëpunim me Shoqatën e Eksportuesve të Bimëve Medicinale(EPCA), ka nisur edhe trajnimi i fermerëve në dy fshatrat e mësipërme./ch/

Shkruani KomentinKOMENTE
  • I.d. Execution 19:37 - 26 Gusht 2013
    jam nga peshkopia dhe interesohem per kultivimin e bimes se sherebeles pasi disponoj nje sasi toke are nen uje e mbi uje. ju lutem me jepni informacion per kete fushe. faleminderit
  • Andi Ymerai 18:11 - 29 Shtator 2012
    jam njefermer nga fshati Shkoze e Vlores jam interesuar te di nese kultivohet sherebela ne fshatin tim qe esht buze vjoses dhe 125 metra mbi nivelin e detit ju lutem kerkoj iformacion dhe asistencen e duhur teknike qe perdoret per kte bime.Pres pergjigje nga ana juaj.Me respekt Islam Islamaj.