Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Kongo, Kriza E Harruar E Botës
English

Kongo, Kriza E Harruar E Botës

- Nga konflikti në vendin afrikan kanë vdekur deri tani pesë milionë persona - - Marrë nga ''Corriere della Sera'' 21 maj - TIRANË, 21 maj /ATSH/ - Gjithsej, pavarësisht se me ndonjë ndërprerje, janë më shumë se 15 vjet luftë që i "dhurojnë" Kongos primatin e numrit të vdekjeve në një konflikt të armatosur (konfirmuar nga Unicef) pas Luftës së Dytë Botërore. Pesë milionë viktima, 90 për qind e të cilave civilë. Dhe nuk mbaron me kaq. Popullsia në zonat verilindore të këtij vendi afrikan, çdo ditë, në një indiferencë të plotë, tenton të mbijetojë në një situatë emergjente që duket e përjetshme. Ndërsa pjesa tjetër e Kongos ka gjetur një rrugë për paqe, rajonet Ituri dhe Kivu janë përfshirë nga një lum dhune që vazhdon të shtojë prurjet. Të gjithë kundër të gjithëve: ushtri e zakonshme, fronti demokratik për çlirimin e Ruandës, rebelë të kontingjentit të ish-gjeneralit Laurent Nkunda, trupa të jashtëligjshme nga Uganda, përfshi milici vendase të Mai-Mai. Mijëra gra, fëmijë, dhe jo rrallë herë meshkuj janë përdhunuar dhe qindra mijëra persona të tjerë janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre. Në Kivunë Veriore, nga përleshjet e armatosura ndërmjet fraksioneve të ndryshme është kaluar në guerilje: çdo grup terrorizon popullsinë dhe i vë zjarrin shtëpive të një fshati për të ndëshkuar "mbështetjen" që i kanë dhënë banorët një grupi tjetër të armatosur. Richard Domba, peshkopi i qytetit Dungu, tregon se rrëfimet e dy vajzave 15 vjeçare, të cilat u rrëmbyen nga një grup rebelësh ugandezë dhe më pas u arratisën mrekullisht, e kanë tronditur: "Nuk mund të gjesh fjalët për të përshkruar dhunën që ato kanë pësuar. Ato nuk do ta harrojnë kurrë atë që i ka ndodhur". Peshkopi kongolez shpjegon se janë me qindra adoleshentët që rrëmbehen me forcë nga rebelët nëpër fshatra. "Vajzat shërbejnë për seks, ndërsa djemtë përdoren për të transportuar pajisje dhe pesha të rënda në pyje. Shfrytëzohen si kafshë dhe kur dikush nuk arrin ta përballojë, vritet në vend pa asnjë mëshirë". Misioni i paqes së Kombeve të Bashkuara, më i madhi në botë me rreth 15 mijë të punësuar dhe me një kosto vjetore më të lartë se një miliardë dollarë, nuk arriti kurrë të evitojë masakrat dhe tashmë po shqyrton mundësinë për një tërheqje graduale. Mallkimi i pasurisë Veç armëve mungon gjithçka: ushqimi, uji, medikamentet, mëshira... Por në këmbim, dhe jo rastësisht, zonat ku luftohet janë të pasura, shumë të pasura. Me luftën vazhdojnë të zhvillohen tregtitë për produkte të ndryshme, kryesisht diamanti, ari dhe tantali, që marrin rrugët e Ruandës, Ugandës dhe Burundit. Drama e Kongos lindore është kryesisht rezultati i një gare të ashpër ndërmjet grupeve të armatosura që kontrollohen nga jashtë për shfrytëzimin e jashtëligjshëm të burimeve të mëdha të kësaj pjese të vendit. Për të mbajtur kontrollin (ilegal) e këtyre burimeve të çmuara, vendet kufitare krijojnë dhe përdorin disa pseudo grupe rebele. Nuk janë të rralla rastet kur ushtria bashkëpunon me grupet rebele për shfrytëzimin e minierave. Ari i nxjerrë nga nëntoka transportohet më pas nga avionë që nisen nga aeroporte të kontrolluar nga ushtria. Dhe përpjekjet e autoriteteve kongoleze për të vënë nën kontroll situatën kanë qenë të pakta. Në vitin 2008, 90 për qind e arit në të gjithë vendin nxirrej dhe tregtohej në mënyrë të paligjshme. Shtetet e Bashkuara, Franca, Britania e Madhe dhe Belgjika janë në garë me Kinën në këtë rajon, dhe secila nga këto fuqi mbështet pjesë të ndryshme dhe konfliktuale të vendit. Një milionë e gjysmë në arrati Ndërkohë jeta e popullsisë zvarritet në mes të një ferri. Vetëm në pranverën e vitit 2009 më shumë se 250 mijë persona mbetën të pastrehë, dhe duke mos pasur asnjë mbështetje morën rrugën në përpjekje për t'u larguar nga zonat e luftës. Por si përfundim iu bashkuan baticës së njerëzve që vërtitet në kërkim të një rrugëdalje nga zonat e konfliktit. Llogaritet se janë më shumë se një milionë e gjysmë njerëz që përpiqen të largohen nga Kivuja Veriore. Sikur në dhjetë vjet, popullsia e një qyteti më të madh se Milano të vërshonte rrugëve në përpjekje të shpëtimit. "Jam i etur për paqen, për paqen e popullit në vendit tim, që nuk po e gjen prej vitesh", deklaroi Faustin Gahima, një mërgimtar që jeton në Itali prej 11 vitesh. Por janë ndryshe fjalët e bashkatdhetarëve të tij që nuk kanë arritur të shpëtojnë. Paqja për ta është vetëm një mendim i largët, për ta rëndësi ka mbijetesa. Ndër pak perëndimorët që mund t'i dëgjojnë, veç misionarëve, është personeli i "Mjekëve pa Kufij". Amisi, 20 vjeç, rrëfen se si u largua nga Kule "sepse nuk mund ta duroja më punën në kampet e pushtuara nga ushtarakët. Mbijetova disa ditë duke ngrënë ndonjë frutë dhe më pas vendosa të tentoja arratinë". Lajmet e fundit Nga lajmet e fundit mësohet se nga luftimet në zonë Hauts Plateaux, rreth 10 mijë civilë të tjerë janë detyruar të largohen nga fshatrat e tyre (Kitoga, Mugutu, Birunga, Kangova) për të kërkuar strehim në Mukumba. "Ata që kanë ardhur në strukturat tona mjekësore kanë rrëfyer se shumë civilë kanë frikë të shkojnë në spital sepse druhen nga sulmet e grupeve të armatosura. Nuk ekziston asnjë vend i siguritë për t'u fshehur", deklaron Philippe Havet, shefi i misionit Msf. "Hauts Plateaux është një zonë shumë e izoluar, me male që arrijnë deri në tre mijë metra lartësi dhe është vështirë të gjesh rrugë për t'u larguar. Shkëmbimet e zjarrit janë tepër të ashpra dhe civilët janë viktima të drejtpërdrejta. Druhemi se shumë civilë mund të humbin jetën pasi nuk mund t'i arrijnë spitalet për të marrë ndihmën mjekësore", shtoi ai. Është vështirë të thuash se sa persona kanë mbetur të bllokuar në pyje, pa ushqim, në mes të zonave të konfliktit. Sipas liderëve të komuniteteve lokale janë disa mijëra. Të gjithë në pritje që bota të kujtohet për ta, dhe jo vetëm për minierat e arit dhe diamanteve. /e.v/
KOMENTE