English

Mixha Bajram dhe Aeroporti i Prishtinës

Brazili nuk mbahet mend se ka bërë diçka të mirë për Kosovën përveç se na ka shitur mish me afat të skaduar dhe se është kundërshtar i pakompromis i pavarësisë së Kosovës. Me një fjalë, Brazili, si ish koloni e Portugalisë është shndërruar në Serbi në Amerikën latine sa i përket çështjes së Kosovës

Nga Behxhet Sh. Shala*

A duhet të simpatizojmë për kombëtaren e Brazilit:

Së shpejti do të fillojë botërori në futboll në Afrikën e Jugut. Njëri ndër favoritët e këtij botërori llogaritet të jetë kombëtarja e Brazilit. Brazili llogaritet të jetë djep i futbollit botëror. Legjenda e futbollit botëror Pele është nga Brazili. Pastaj Tostao, Rivelinjo, Zhairzinjo, Sokrates, Ronaldo, Ronaldinjo, Kaka, Pate dhe shumë futbollistë që luajnë në ligat më të forta evropiane janë nga Brazili. Në fakt, unë asnjëhere nuk kam bërë tifo për Brazilin në garat globale por kam vlerësuar artin e tyre si individë në ligat evropiane. Gjithmonë e kam përkrahur kombëtaren e Italisë, jo për shkak të lojës që e kanë bërë sepse edhe kur i kanë fituar titujt e kanë bërë në mënyrë të lodhtë fare por për shkak të Gaj Julie Cezarit, Ciceronit, Leonardo da Vinçit, Dantes, Petrarkës, Manxonit, Garibaldit, Çelentanos, Al Banos dhe Romina Pauerit, Klaudio Balonit dhe Druppi, Domeniko Modunjos dhe Luçano Pavarotit, Frederiko Fellinit, Xhani Morandit, Al Paçinos, Xhorxho Armanit, Gjani Versaçes dhe Ferres, Roberto de Niros dhe Klaudia Kardinales, Xhovani Falkones dhe Alberto della Kiezes dhe shumë figurave tjera që kanë luajtur rol të rëndësishëm në artin, kulturën, letërsinë, shkencën, drejtësinë dhe politikën botërore. Italia i ofroi azil edhe Gjergj Kastriotit- Skenderbeut pas pushtimit të Shqipërisë nga perandoria otomane. Na bëri edhe do të zeza por nuk ka asgjë ideale në këtë botë, përveç Behgjet Pacollit! Ndërkaq, Brazili nuk mbahet mend se ka bërë diçka të mirë për Kosovën përveç se na ka shitur mish me afat të skaduar dhe se është kundërshtar i pakompromis i pavarësisë së Kosovës. Me një fjalë, Brazili, si ish koloni e Portugalisë është shndërruar në Serbi në Amerikën latine sa i përket çështjes së Kosovës! Në mbledhjen e fundit të Këshilli të Sigurimit të OKB-së, përfaqësuesi i Brazilit ishte më shumë se fenomenal për Serbinë! Pasi e dëgjova fjalimin e saj, më mori malli për fjalimin e Vuk Jeremiqit, ministër i Jashtëm i Serbisë! Prandaj, mendoj se Skender Hyseni, ministër i Punëve të Jashtme është njeriu më i persekutuar në Kosovë! Ndaj tij po përdoren do formula të Gymnichut dhe inxhës Miradije. Herë është me emër dhe mbiemër ndërsa ka raste kur as emrin nuk ia përmendin! Këtë mendim nuk e ndanë me mua ambasadori Dell por nuk është kjo pikë e vetme ku nuk pajtohemi. Ministrin Hyseni e shajnë brenda Kosovës, mediat, shoqëria civile, opozita madje as pozita nuk e përkrah fort! Ndërkombëtarët ia shkelin të drejtën e fjalës së lirë dhe mendimit të pavarur duke ia shkruar fjalimet të cilat detyrohet t’i lexojë para Këshillit të Sigurimit të OKB! Ai , gjithashtu detyrohet të jetë përcjellës i një injoranti të UNMIK-ut i cili flet në emër të Kosovës dhe madje të ulet afër këtij dylberi! Detyrohet t’i dëgjojë gënjeshtrat e Vuk Jeremiqit , pa të drejtë t’i kundërvihet sepse këtë nuk e pëlqejnë “miqtë” ndërkombëtarë! Behgjet Pacolli ia ka ndërtuar sistemin paralel të diplomacisë duke ia bërë punët lesh! Skender Hyseni është duke i përjetuar vuajtjet e Tantalit andaj është personi më i diskriminuar në Kosovë! Persekutimi ndaj tij tashmë është ndërkombëtarizuar, ka marrë përmasa planetare! Mirëpo Skenda këtë po e përballon me një stoicizëm antologjik. Për hir të Kosovës!

Nuk është mirë të largohesh nga Kosova :

Mungova nja 5 ditë nga Kosova dhe gjatë kësaj kohe kishin ndodhur ndryshime të mëdha! Kishte emërtime të reja të rrugëve dhe shesheve. Një rrugë u riemërua me emrin e kryeprokurorit të EULESH-it i cili vërtet e bëri punën lesh sepse, më shumë u mor me sfilatim medial se me punën që do të duhej ta bënte! Pastaj ishte paralajmërimi për vdekjen e këtij prokurori duke e cilësuar si qen llaskuc, që ishte vërtet pa shije! Madje ishte caktuar edhe vendi i varrimit si edhe pala e pikëllur që logjikisht do të duhej ta hapte derën për të pame! Emërtimi i radhës i rrugës ishte një goditje shumë e ulët ndaj Flaka dhe Veton Surroit që i ndërlidhte me UDB-në! Për sa ishte diskredituese ishte edhe më e pamoralshme! Por kishte edhe përkrahje të fuqishme për kryeprokurorin e EULESH-it. Madje, Halil Matoshi në stilin e Lorkës dhe Majakovskit botërisht i dërgoi mesazhe dashurie me titullin : “ I love EULESH’S persecutor”. Halili ka menduar se nëse porosia e dashurisë i dërgohet në gjuhën e bukur angleze e jo në gjuhën e neveritshme dhe katundare shqipe, intensiteti do të jetë më i lartë dhe pasioni më i fuqishëm dhe më i zjarrtë, si parakusht që më lehtë të shkojë në krevat me kryeprokurorin e EULESH-it! Uroj t’i realizohet dëshira! Afërsisht 13 OJQ-ë kosovare i dhanë përkrahje të fuqishme kryeprokurorit të EULESH-it në luftën e tij kundër korrupsionit. E keqja e tyre ishte se, edhe pse e dinin se kush po e mbron sot fuqishëm korrupsionin në Kosovë, nuk patën guxim ta dërgojnë një letër në atë adresë! Prandaj nuk iu besoj aspak! Policia speciale e Maqedonisë i ekzekutoi 4 shqiptarë duke u shërbyer me informatat e disa politikanëve shqiptarë të Kosovës dhe Maqedonisë! Madje, ministrit për Punë të Brendshme të Kosovës iu dorëzua edhe një listë me emrat e 70 shqiptarëve që do të duhej ta kishin fatin e atyre 4 shqiptarëve të ekzekutuar. Duket se dinamika e realizimit të këtij projekti kriminal është çështje e marrëveshjes e cila nuk negociohet! Befasia më e madhe për mua ishte konvertimi i ambasadorit Dell! Nga ambasadori u bë avokat dhe zëdhënës! Në shtete normale, pas këtij konvertimi në avokat ai nuk do të ishte në gjendje të fitonte as për byrek! Kosova është diçka tjetër sepse është vend i bekuar për të gjithë ndërkombëtarët, pavarësisht cilësisë apo rangut të përfaqësimit! Të gjithë këtu mund të fitojnë , me përjashtim të shqiptarëve ndërkaq që shqiptarët e konvertuar në kosovarë nuk po ndahen aspak keq!

Më në fund edhe unë në politikë, nëse….:

Po e shoh që të merresh me politikë dje, sot dhe duket edhe në të ardhmën në Kosovë është biznesi që sjell më së shumti përfitime materiale. Dhe imunitet nga përgjegjësia penale sepse ajo morale nuk është fare e regjistruar në kodin e një numri të politikanëve andaj si të tillë janë të liruar nga kjo përgjegjësi! Kam hezituar shumë të hyjë në politikë mirëpo pas intervistës që e dha Behgjet Pacolli në Klan Kosova i hoqa dilemat dhe e gjeta adresën e angazhimit tim! Ndër shqiptarët model i politikanit ideal për mua ka qenë Hasan Prishtina i cili mendjen dhe tërë pasurinë e ka shkrirë për lirinë e shqiptarëve. Edhe Haxhi Zeka gjithashtu. Strategë dhe luftëtarë të papërsëritshëm kanë qenë Skënderbeu dhe Adem Jashari. Kombinim i politikanit, strategut dhe mbledhës i fondeve me të gjitha mjetet ka qenë Ali Pashë Tepelena. Në këtë intervistë Behgjet Pacolli i shpalosi tiparet e Hasan Prishtinës në kuptimin se tërë kohën po angazhohet politikisht për Kosovën dhe se këtë po e bënë me para të veta. Me një fjalë, po e shkrinë tërë pasurinë për Kosovën. Në anën tjetër gojëkëqinjt po thonë se pasuria e tij vetëm sa po trashet dhe shtohet dhe se nuk bëhet fjalë për shkrirje. Është besimtar te Zoti si Haxhi Zeka. Prej tij dallon që nuk ka ndërtuar asnjë mulli, deri tani! Me Skënderbeun e ka të përbashkët arkitekturën sepse ka ndërtuar një kështjellë edhe më të madhe se vet Gjergj Kastrioti. Pastaj i foli do fjalë si vet Skënderbeu:” korrupsionin nuk ua solla unë por e gjeta në mesin tuaj. Ta mbrojmë pra!” Më parë edhe ritmin e frymëmarrjes e akordonte me fjalorin e Hashim Thaçit ndërsa tash, me guxim dhe vendosmëri po i thotë:” Boll ma! Shko te shpija, se do ta formojmë një qeveri tjetër me nxënës të shkollës së mesme teknike të quajtur qeveri teknike”! Tamam fjalë burri, fjalë me mbushje atomike, si armët e Sadam Hyseinit për zhdukje në masë për të cilat akuzohej nga amerikanët ! Sadam Hyseini nuk u nda mirë për këto armë të cilat as që i kishte dhe nuk e di si do të ndahet Pacolli për këto fjalë të cilat gjithashtu nuk mund t’i mbajë! Pas fjalëve zakonisht kalohet në vepra dhe nëse Pacolli i përmbahet këtij parimi atëhere nuk i mbetet tjetër përveç se të sakrifikohet si Adem Jashari! Në këtë rast, shkoi Behxheti te Behgjeti! Mirëpo, kam frikë që prej këtyre personazheve Pacolli ka më së shumti ka ngjashmëri me Ali Pashë Tepelenën dhe se tërë aktivitetin e tij politiko-patriotik ja ka kushtuar mbledhjes së fondeve! Jo për Kosovën! Tash do ta kuptoni më mirë titullin e kësaj pjese të shkrimit, besoj!

Paraja e pistë, në trup të kalbur:

Qytetarët e Kosovës kanë shumë vërejtje në shërbimet shëndetësore! Me plotë të drejtë, do të pajtoheni edhe ju, lexues të nderuar. E vetmja gjë në Kosovë që është e shëndoshë dhe që pëlcet nga shëndeti është korrupsioni! Është imunizuar me intervenime politike ndërkombëtare prandaj është bërë i rezistueshëm ndaj çdo terapie! Nuk ka antibiotikë që e shëron ndërsa po mungojnë intervenimet e thella kirurgjike! Do intervenime që po bëhen më shumë po i ngjajnë bërjes synet se përpjekje për ta luftuar korrupsionin! Prandaj, vetëm sa po rritet! Por, besoj shumë, jo deri në infinit!

Mixha Bajram dhe…..:

Mixha Bajram ishte i njohur si ashik dhe bonvivan i fshatit. Kishte prona që nuk i kishte të babës dhe i bënte rrush e kumbulla. I mbeti një livadh i madh dhe i bukur ku keqas u ngatërrua me gruan e kryeplakut. Pasi e kapën me pelë për dore, ia shtypën topet dhe e larguan nga aty. Kadiu ia shqiptoi dënimin prej 75 të godituave në prapanicë dhe 35 lira që duhej t’i paguante kryeplakut. Livadhin ia morën për 30 vjet me kusht që t’i japin nga 5 thasë me miell në vit, sa për ta mbajtur shpirtin gjallë! Dëshpërimi i Mixhës Bajram ishte i madh. Jo pse u detyrua t’i paguaj ato 35 lira dhe t’i durojë 75 goditje në prapanicë ( në fund të fundit prapanica nuk është fyfyrë!) por sepse e dinte se , edhe nëse i kthehet livadhi pas 30 vjetëve atij më nuk do t’i duhej asgjë! Në radhë të parë sepse do të lodrohej nga hamshorët e vilajeteve të ndryshme e në radhë të dytë sepse do ta lëshonte takati! Thonë se pas 10 ditëve i mbylli sytë dhe shkoi në një botë nga nuk ka të kthyer! I dëshpëruar dhe i thyer!

Koincidencë e rastit apo..?

Po në livadhin e Mixhës Bajram, pas shumë vitesh, policë dhe doganierë të EULESH-it e kontrolluan deri në tëlina Hashim Drenicën me shokë të tij! Mileti po thotë se na shkoi fytyra sepse na kontrolluan koxhobashin e Vilajetit të Kosovës! Unë nuk e besoj se ka të bëjë me shkuarjen e fytyrës në këtë rast. Mendoj se u është dërguar një porosi e qartë se grupi që u kontrollua është nën hetime të EULEX-it! Asgjë më tepër dhe nuk mund të kuptohet ndryshe! Nëse e kuptojnë ndryshe do ta pësojnë shumë më keq se Mixha Bajram, livadhi i të cilit pastaj u bë Aeroporti i Prishtinës i cili përsëri po i ipet dikujt për 20 vjet me urdhër të një kadie tjetër!

(*) Dërguar për NOA nga autori, drejtor ekzekutiv i KMDLNj. Pikëpamjet në këtë shkrim janë krejt personale

KOMENTE