English

Shkodër, Ministri Prifti: 10 Milionë Euro Për Mbështetjen E Biznesit

SHKODËR,21 Maj/ATSH-G. Marku/.- Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, deklaroi sot në Shkodër, pas vizitës në disa kompani prodhuese tekstilesh, se qeveria ka në dispozicion këtë vit një fond prej 10 milionë euro për mbështetjen e këtyre bizneseve. Ky fond, u shpreh ministri i Ekonomisë, do të përdoret në formën e kredive të buta për biznesin dhe qeveria synon dy apo trefishimin e tij në vitet e ardhshme. Ministri Prifti vizitoi sot kompanitë MODA TELI sh.p.k ,CALZATURIFICI O ADELCHI, dhe kompaninë BERTONI, e cila është një kompani prodhuese e këpucëve. Gjatë vizitës, ministri i Ekonomisë, u interesua për problematikën që paraqet secila prej kompanive në aktivitetin ekonomik që ato ushtrojnë, si dhe u njoh me sugjerimet përkatëse të tyre, mbi atë se çfarë mund të bëjë më shumë qeveria për të mbështetur këto biznese, të cilat janë një burim i madh për punësimin në vendin tonë. Ministri i Ekonomisë shprehu gatishmërinë e qeverisë për të mbështetur këto lloj biznesesh në punën e tyre, duke qenë se ato shihen nga ana e qeverisë si rruga më e mirë për të pasur një impakt më të shpejtë për rritjen e punësimit në vend. "Ne kemi një fond prej të paktën 10 milionë euro këtë vit për ta përdorur për këto lloj biznesesh, për kredi të buta, kredi që nuk shkojnë më shumë se sa katër apo pesë për qind interes vjetor, sa gjysma e interesit që mund të ofrojnë bankat. Shpresojmë që vitet e ardhshme këtë fond ta dy apo trefishojmë. Është një fond, për të cilin i bëj thirrje bizneseve që shpenzojnë për teknologji, shpenzojnë për makineri e pajisje, dhe që gjenerojnë punësim, që të drejtohen pranë ministrisë së Ekonomisë për t'u mbështetur me financime", tha z. Prifti. Duke folur për objektivat e qeverisë, ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës u ndal në synimin e qeverisë për të ngushtuar raportin mes shkollave të mesme të përgjithshme dhe atyre profesionale. Duke qenë se ky raport sot është në favor të shkollave të mesme të përgjithshme, ministri Prifti tha se qeveria synon që ta ulë këtë raport dhe shprehu bindjen se një gjë e tillë është edhe në interes të sipërmarrësve, pasi ata kanë nevojë që punonjësit të jenë të kualifikuar dhe profesionistë. "Ne kemi vendosur që të financojmë, të shpenzojmë më shumë në shkollat profesionale, për të cilat kam bindjen se sipërmarrësit e kësaj natyre ku jemi sot kanë shumë nevojë, që krahu i punës të jetë i arsimuar, i mësuar me zanate të ndryshme. Kemi si synim që raportin, në dy tre vjet, ta kalojmë në 60 me 40, pra të kemi një dyfishim të shkollave profesionale në krahasim me nivelin që kemi sot", tha ministri Prifti. /s.s./
KOMENTE