English

Vasili: Arsimi i lartë i infermierëve, do ofrojmë kurse me kosto të lirë në spitale

Tiranë, 21 maj, NOA /Blerina Ahmetaj - Ministria e Shëndetësisë ka vendosur që infermierët e punësuar në sektorin publik shëndetësor të kenë të gjithë diplomat e arsimit të lartë.

Në një deklaratë për mediat, ministri Petrit Vasili ka theksuar se përveç shkollave publike e private ku ata mund të kryejnë studime të larta për degën e infermierisë, po mendohet që të ofrohen brenda në spitale edhe kurse të specializuara infermierie me kosto më të lirë, kurse këto që do të akreditohen nga ministria e Arsimit.

“Kemi menduar që të japim disa opsione, dhe infermierët mund të zgjedhin atë që duan, por përveç shkollave publike e private, po bisedojmë me MASH që të ngremë kurse profesionale në spital, me një kosto më të lirë me qëllim që asnjë infermier të ketë mundësi të rritet profesionalisht dhe të mos humbë vendin e punës”, tha ministri.

Sipas urdhrit të Vasilit, nga edukimi profesional i vazhdueshëm nuk do të përjashtohet asnjë punonjës i sektorit të shëndetësisë, në të kundërt ata që do ta refuzojnë këtë do të duhet të lënë vendin e punës.

Në të gjithë vendin, punojnë në sektorin publik rreth 15 mijë infermierë.

Një pjesë e mirë e tyre janë të pajisur me diploma të lëshuara nga kurset profesionale që sot nuk ekzistojnë më.

Ministri Vasili ka deklaruar se teknologjia bashkëkohore dhe reformat që po merren në sistemin shëndetësor kërkojnë personel mjekësor të trajnuar dhe me nivel profesional të lartë.

b.a/n.e/NOA

KOMENTE