Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Berisha: Qeveria, E Vendosur Të Promovojë Një Rritje Të Qëndrueshme Ekonomike
English

Berisha: Qeveria, E Vendosur Të Promovojë Një Rritje Të Qëndrueshme Ekonomike

- Në konferencën rajonale për Zhvillimin e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme, Kryeministri Sali Berisha fton kompanitë e huaja të investojnë në Shqipëri - TIRANË, 22 Maj/ATSH-Etleva Xhajanka/.- Kryeministri Sali Berisha ftoi sot kompanitë e huaja të shtrijnë investimet e tyre në Shqipëri, duke siguruar se "qeveria shqiptare është tërësisht e vendosur për të promovuar një rritje ekonomike të qëndrueshme, nëpërmjet rritjes së konkurrueshmërisë, produktivitetit, teknologjisë dhe novatorizmit". Kryeministri Sali Berisha përshëndeti sot konferencën rajonale për Zhvillimin e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme, e sponsorizuar nga USAID-i, e cila u zhvillua në Hotel 'Sheraton', në Tiranë. Shqipëria, sipas Kryeministrit Berisha, "përfaqëson në këto kohëra të vështira ekonomike një shpresë për shkak të rritjes së saj ekonomike, performancës dhe entuziazmit të saj". Kryeministri siguroi investitorët e huaj se do të kenë një histori suksesi në Shqipëri, ndaj i ftoi ata që të konsiderojnë vendosjen e projekteve të tyre në këtë vend. Ekonomia shqiptare, sipas Kryeministrit Berisha, "bazohet në principe shumë të rëndësishme dhe themelore dhe kjo vërtetohet në faktin se kjo ekonomi i rezistoi krizës së tsunamit financiar dhe ekonomik botëror". "Ne përgjysmuam taksat për bizneset e vogla dhe bëmë një revolucion të vërtetë fiskal. Ne zvogëluam gjithashtu pengesat fiskale, ulëm taksën për kontributet shoqërore deri në 15 për qind dhe thjeshtuam sistemin tonë fiskal nga 26 barriera deri në 6 barriera. Bonusi dhe stimuli më i mirë në këtë kohë krize financiare është taksa e ulët", tha Kryeministri Berisha. Kryeministri theksoi se "Qeveria po punon shumë për të lehtësuar klimën private në Shqipëri". Në këtë drejtim, ai theksoi se "Qeveria ka thjeshtuar regjistrimin e bizneseve në mënyrë elektronike dhe dhënien e lejeve dhe licencave". Ai nënvizoi se "në Shqipëri u ndryshua tërësisht kuadri ligjor dhe vendi ka për momentin legjislacionin më të mirë për biznesin privat". "Në më pak se 3 vjet qeveria ime ka nënshkruar rreth 200 kontrata vetëm për çështjet e energjisë elektrike. Ne kemi bërë investime të mëdha prej 5 miliardë euro. Tregu është i hapur", tha Kryeministri Berisha. Shqipëria është një vend me potenciale të mëdha, tha Kryeministri, duke nënvizuar potencialet e mëdha hidrike. Ai theksoi se në Shqipëri ka projekte për ndërtimin e më tepër se 400 HEC-ve, 36 prej të cilave janë në ndërtim e sipër. "Një prej tyre është kaskada e Devollit, më e madhja në Europë. Ne kemi prodhimin e energjisë nga biomasa dhe jemi të hapur për të gjitha format e prodhimit të energjisë elektrike, duke përfshirë energjinë atomike", tha Kryeministri Berisha. Duke u ndalur te potencialet turistike të Shqipërisë, Kryeministri Berisha ftoi investitorët e huaj të investojnë në këtë sektor, ndërsa theksoi se "Shqipëria ka një vijë bregdetare të gjatë dhe shumë të bukur". Ai theksoi se "vitin e kaluar turizmi pati një rritje me 34 për qind krahasuar me vitet e kaluara". Kryeministri theksoi gjithashtu se Shqipëria ka një nëntokë të pasur, ndaj nxiti investimet në sektorin minerar. Sipas tij, "investitorët e huaj do të gjejnë në Shqipëri tregun e punës më të mirë, më të ri dhe më të lirë në Europë". "Shqipëria është një vend anëtar i NATO-s dhe po punon shumë për t'u bërë vend anëtar i BE-së. Këto janë disa nga avantazhet që ne ofrojmë, por ju ftoj të investoni këtu sepse do të keni një të ardhme për përpjekjet tuaja", tha Kryeministri Berisha./m.m/ s.s./
KOMENTE