English

Doli fjalori i parë arabisht-shqip

Tiranë, 22 Maj, NOA /Bardhyl Selimi - Në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave të Tiranës, Instituti shqiptar i mendimit dhe i kulturës islame, organizoi përurimin e fjalorit të parë Arabisht-Shqip.

Autor i tij është Sulejman Tomçini, lauruar në Bagdad dhe ish-Bashkimin Sovjetik për orientalistikë, diplomat karriere shumë vjet në vendet arabe.

Drejtori i Institutit, Ramiz Reka, tha se kjo vepër është vazhdë e një morie botimesh të këtij instituti që prej 14 vjetësh, që ka për qëllim ta afrojë popullin shqiptar, kudo që ai jeton me botën arabe, të njohë në mënyrë të ndërsjellë kulturën, historinë dhe të forcojë miqësinë tradicionale me arabët.

Fjalori përmban 70.000 fjalë si edhe një sasi të madhe shprehjesh frazeologjike në më shumë se 1100 faqe, në një libër me pamje të denjë për një vepër të tillë. Pjesëmarrësit në tubim kishin rastin ta blejnë atë me gjysmë çmimi.

Tomçini tha se po punon edhe për fjalorin shqip-arabisht duke u bazuar në Fjalorin e Madh të Shqipes së sotme.

Prof. Ismail Ahmeti i universitetit të Tetovës shpalosi me hollësi vlerat leksikografike dhe shkencore të fjalorit, po ashtu edhe profesori Enver Hysa që është marrë me redaktimin e tij.

NOA

KOMENTE