English

Durrës: "Gravite'", Koreografi Francez, Fabrice Lambert, Një Spektakël Që 'Shkrihet' Në Ujë

DURRËS 22 Maj /ATSH-Gëzim Kabashi/.- Koreografi dhe kërcimtari francez Fabrice Lambert ka provuar mbrëmë ligjet e gravitetit gjatë shfaqjes me të njejtin emër, interpretmi i së cilës u realizua në hollin e teatrit "Aleksandër Moisiu" të qytetit të Durrësit. Kjo ishte mbrëmja e tetë që ndoqën shikuesit e pasionuar durrsakë si dhe studentët e Akademisë së Arteve në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Dancit modern dhe kontemporan. "Gravité" është njëkohësisht një instalim dhe koreografi, tha për ATSH-në Fabrice Lambert, pas shfaqjes ku dritat, efektet zanore dhe lëvizjet e trupit, që qëndron mbi një shtresë uji, reflektohen së bashku në një ekran të madh. Të bashkuar nga këto lëvizje, trupi dhe uji bëhen një njësi e vetme, e shkrirë në një imazh të krijuar nga i gjithë ky proçes artistik. Mënyra se si trupi rregullohet sipas gravitetit tokësor tregohet nga lëvizjet e ujit në një seri fotografish dhe lëvizjesh, spjegoi më tej koreografi Gjergj Prevazi, organizator i edicionit të pestë të këtij Festivali, që ka gjallëruar jetën kulturore-artistike të qytetit bregdetar. Veprimtaria artistike e promovuar dhe përgatitur nga shoqata "Durrës Beauty", që ka mbërritur në edicionin e 5-të jubilar, mbështetet nga Bashkia e qytetit dhe MTKRS. Dance teater, një lloj teatri alternativ, po fiton gjithë e më shumë shikues mes të rinjve, nxënësve dhe studentëve, të cilët kanë ndjekur me shumë interes spektaklet në sallën e teatrit "Aleksandër Moisiu" në Durrës. Deri tani ka përfunduar intepretimi i trupave nga Spanja, Zvicra, Izraeli, SHBA, Suedia, Franca dhe Hungaria. Festivali Ndërkombëtar i Dancit Modern dhe Kontemporan ka nisur më 1 maj me shfaqjen "The light" nga trupa spanjolle Jesus Quiroga dhe do të mbyllet më 28 maj me shfaqjen "No.Thing" të trupës trupës zvicerane "Linga Co". Në këtë edicion jubilar, që shtrihet për herë të parë përgjatë një muaji, një pjesë e kompanive të huaja kanë ardhur me "prodhimet" e viteve 2009-2010 dhe gjatë këtij edicioni po shfaqen edhe disa premiera botërore. Festivali i Dancit ka nisur në vitin 2006 dhe deri tani në skenat e teatrit të Durrësit dhe Tiranës janë përballur artistikisht trupa dhe kompani të teatrit alternativ nga Kosova, Maqedonia, Suedia, Holanda, Turqia, Italia, Kroacia, Shqipëria, Izraeli, Hungaria, Sllovenia, Zvicra, Greqia, etj. /s.s./
KOMENTE