English

Aksidentet tek “Kurum”, sindikatat: 10 ditë afat firmës të plotësojë kushtet

Elbasan, 24 Maj, NOA /Blerina Ahmetaj - Një ditë pas aksidentit të një metalurgu të kompanisë turke “Kurum”, i cili u plagos rëndë në një depozitë mazuti në mjediset e brendshme në Bradashesh të Elbasanit, reagon konfederata e Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë.

Kryetari i saj, Kolë Nikollaj, fajëson Inspektoriatin Shtetëror të Punës i cili mbron biznese si firma turke “Kurum”, e cila në vazhdimësi tregon indiferencë ndaj kërkesave të sindikatës për sigurimin e kushteve teknike në punë.

Nikollaj thotë se aktualisht “Kurum” nuk plotëson minimumin e kushteve për metalurgët ndaj kësaj firme i është caktuar një afat kohor prej 10 ditësh të plotësojë kushtet në të kundërt do të zhvillohet një grevë e përgjithshme e cila do të paralizojë gjithë punën në uzinë.

“Uzina e Metalurgjikut është ndër të shumtët ndërmarrje në vendin tonë që prodhojnë aksidente në vazhdimësi. Por megjithë insistimin e sindikatës, “Kurum” nuk plotëson as kushtet më minimale. Pas grevës së sotme 1-orëshe, ne i kemi lënë firmës 10 ditë afat, që së pari të plotësojë kushtet teknike në punë, së dyti t’u rrisë punëtorëve pagën në masën 20 përqind, e së treti të plotësojë nevojat e metalurgëve me veshje speciale për furrnaltën, të cilat aktualisht mungojnë. Nëse këto kushte nuk plotësohen ne si konfederatë kemi vendosur që pas 10 ditësh të pezullojmë punën në uzinën e shkrirjes së çelikut në Elbasan”, tha Nikollaj.

Një tjetër sektor që ka tregues të lartë të aksidenteve në punë janë minierat.

Nikollaj thotë se grupi “Task Force” i ngritur nga ministri i Energjetikës Dritan Prifti është vetëm një propagandë pasi gjendja aktuale në Bulqizë është tepër e rëndë dhe jashtë kontrollit të shtetit.

b.a/n.e/NOA

KOMENTE