English

Albert Rohan: Zgjedhjet serbe në Kosovë, janë të paligjshme

Prishtinë, 24 Maj, NOA - Ish-ndërmjetësi i OKB-së në bisedimet për statusin e Kosovës, Albert Rohan, thotë se zgjedhjet lokale serbe në Mitrovicën e veriut janë të paligjshme dhe se rezultati i tyre nuk do të njihet ndërkombëtarisht. Ai tha se është e vështirë që të parandalohet mbajtja e tyre për shkak të mundësisë së shpërthimit të dhunës.

Në një bisedë me BBC-në, z. Rohan tha se Serbia me këtë veprim vazhdon ta cilësojë Kosovën si pjesë të saj. Duke folur për mundësinë e bisedimeve mes Prishtinës e Beogradit, ai tha se ato nuk duhet të shihen si një raund i madh zyrtar, por si diskutime praktike për çështje plotësisht pragmatike.

Z.Rohan, si e shihni përpjekjen e Beogradit zyrtar për të zhvilluar zgjedhje në Mitrovicë?

Para së gjithash, nuk ka asnjë gjë të re këtu, sepse këtë e kanë bërë edhe më përpara. Mendoj se janë të paligjshme, sepse një shtet i huaj nuk mund të zhvillojë zgjedhje në territorin e një shteti tjetër. Por, natyrisht që Beogradi këtë e sheh në një dritë tjetër.

Mendoj se është shumë e vështirë që ato të ndalohen fizikisht dhe gjithnjë ka rrezik të shpërthimit të dhunës. Kjo është e vështirë, por rezultati i këtyre zgjedhjeve nuk do të njihet nga askush, as nga autoritetet e Kosovës as nga EULEX-i.

Kjo do të thotë se vetëm duke e mohuar rezultatin e zgjedhjeve zgjidhet ky problem, apo ndoshta do të duhej të kishte një veprim më të drejtpëdrejtë për të parandaluar mbajtjen e tyre?

Nëse dikush do të kishte një ide të mirë për t'i parandaluar ato pa shkaktuar përplasje të padëshiruara atëherë do të ishte i mirëseardhur ta thoshte. Por duke marrë parasysh përvojat e viteve të kaluara, unë nuk e shoh se ka shumë mundësi që ato fizikisht të parandalohen. Prandaj më e mira është të thuhet se ato janë të paligjshme dhe se rezultati nuk do të njihet. Por a nuk është kjo një përpjekje e Serbisë për të bërë një ndarje ose copëzim të veriut të Kosovës pasi këto nuk janë të vetmet zgjedhje që ka mbajtur Beogradi në veri?

Kjo është ajo që po them, se kjo nuk është një gjë e re. Unë nuk e shoh këtë shumë në aspektin e ndarjes, por ata e shohin Kosovën të jetë pjesë e Serbisë dhe ata mbajnë zgjedhje atje ku munden. Dhe në veri ata munden.

Por duke marrë parasysh këto lëvizje dhe hapat e Beogradit zyrtar në veri, a po vështirësohet një lloj dialogu mes Prishtinës e Beogradit?

Nuk e mendoj se kjo është një shtesë cilësore në vështirësitë. Nuk është baza e qëndrimit që shkakton probleme, por unë nuk do ta shikoja këtë dialog si një raund të madh zyrtar. Unë e shoh më shumë në formën se kudo që ka probleme praktike rreth disa çështjeve konkrete, të dyja palët, pra autoritetet e të dyja palëve, duhet të flasin me njëra-tjetrën pa fanfara të mëdha. Unë i shoh diskutimet praktike si çështje plotësisht pragmatike dhe ato nuk duhet të zyrtarizohen shumë.

Por përveç kësaj çështjeje, së fundi ka patur edhe zhvillime të tjera, posaçërisht ndërhyrja e policisë së EULEX-it në institucionet e Kosovës. Ka EULEX-i këtë të drejtë që të ndërhyjë pa i njoftuar institucionet e vendit?

E gjithë filozofia e EULEX-it është që ai duhet të mbështesë institucionet e Kosovës, dhe në disa fusha, në drejtësi dhe në siguri, kanë fuqi ekzekutive. Filozofia jonë e propozimit të marrëveshjeve të tilla në planin Ahtisaari ishte që të bashkëpunojnë ngushtë dhe me sa e kuptoj këtë po bëjnë.

Por zoti Rohan, EULEX-i ka ndërhyrë në një nga institucionet e Kosovës, në një nga ministritë e qeverisë së Kosovës.

Ju mendoni në hetimin e rastit Limaj?

Po e saktë.

Po, por kjo është edhe e drejtë e tyre, sepse ata kanë fuqi ekzekutive në këtë fushë të caktuar të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Prandaj edhe mund të ndërmarrin hapa të tillë. Nuk jam i njoftuar plotësisht dhe nuk i kam të gjitha hollësitë nëse e kanë njoftuar qeverinë apo jo, mendoj se do të duhej ta bënin një gjë të tillë. Por për të bërë bastisje në kuadër të procedurave kundër dikujt, që dyshohet për korrupsion, është plotësisht e drejtë.

Por a është sot shoqëria kosovare e rrethuar nga nivel i lartë i korrupsionit?

Nuk e di nëse është ashtu, por shpresoj që jo. Por është e vërtetë se korrupsioni ka zënë vend dhe është në interes të shoqërisë kosovare dhe të qytetarëve të Kosovës që të luftojnë këto çështje në një mënyrë transparente. Nëse ka korrupsion, atëherë përgjegjësit duhet të sillen para drejtësisë kudo qofshin ata, në nivel të lartë ose të ulët, nuk ka rëndësi, sepse krimi është i njëjtë. Dhe në fund të fundit është krim kundër qytetarëve të Kosovës, sepse janë paratë e tyre që merren. Prandaj mendoj se është në interes jo vetëm të Kosovës, por të qytetarëve të Kosovës që këto raste të zgjidhen.

Ka patur së fundi edhe raporte, posaçërisht të organizatave të të rinjve, që thonë se shoqëria kosovare është e frikësuar dhe se autoritetet e vendit po provojnë që të kontrollojnë çdo gjë në Kosovë.

Unë e kam lexuar një raport të Grupit Ndërkombëtar të Krizave dhe ata nuk e kanë thënë ashtu si e thoni ju, saktësisht. Lidhjet mes udhëheqësve që duan të kontrollojnë çdo gjë dhe shkeljes së të drejtave të njeriut unë aty nuk i kam parë. Por është e vërtetë ajo që thonë ata se në fushën e drejtësisë sistemi nuk është në nivelin që duhet të jetë.

Natyrisht ky nuk është vetëm monopol i Kosovës. Në shumë vende, por edhe në vetë shtetet e BE-së, gjeni korrupsion dhe unë nuk kam nevojë që të përmend ato vende për të cilat flas. Edhe në vendet e tjera të Ballkanit është e ngjashme. Por, në rastin e Kosovës që duhet të luftojë në shumë fusha, qofshin ekonomike dhe politike, është shumë më shumë e rrezikshme që kjo të ndodh. Prandaj mendoj se të gjithë me mendje të shëndoshë, që nga udhëheqësit e deri tek qytetarët e rëndomtë, duhet të punojnë që ta zhdukin korrupsionin, sepse kjo nënkupton vjedhje të parave të qytetarëve.

BBC

KOMENTE