English

Elbasan: Metalurgët Protestë Për Kushte Me Te Mira Te Punës

ELBASAN, 24 Maj /ATSH-Miranda Sadiku/-Rreth 500 metalurgë të firmës turke "Kurum International" kanë organizuar mëngjesin e sotëm një protestë një orëshe, të pakënaqur me kushtet e punës. Protesta u organizua nga Sindikata e Punëtorëve të Industrisë në bashkëunim me Sindikatën e Punëtorëve të Uzinës së Çelikut dhe asaj të Petëzimit. Kreu i Konfederatës së Sindikatës së Industrisë, Kol Nikolli, ka shprehur shqetësimin për gjendjen në të cilën, sipas tij, punojnë aktualisht metalurgët. Ai theksoi se "firmat e huaja në Shqipëri nuk po i respektojnë kushtet e përcaktuara me ligj dhe po i diskriminojnë punëtorët shqiptarë duke mos u garantuar atyre as të drejtat më minimale". Nikolli ka fajësuar Konfederatën që drejton për moskryerjen siç duhet të detyrës përsa i takon organizimit të lëvizjeve të fuqishme sindikaliste në drejtim të mbrojtjes të të drejtave të punëtorëve. "Protesta e metalurgëve zhvillohet pasi firma turke "Kurum International" nuk u ka garantuar atyre paga në nivele të pranueshme, nuk u ka krijuar kushte për sigurinë e lartë në frontin e punës, nuk zbaton vendimet e këshillit të Ministrave për dietën ushqimore prej 5-mijë lekësh në ditë si dhe nuk u jepet rregullisht antidodi. Rritja e pagës prej 20% dhe mjaft kërkesa të tjera mjerisht nuk po repsektohen nga ana e Kurum International. Nëse këto kërkesa minimale nuk do të plotësohen atëherë metalurgët dhe të gjithë punëtoët e tjerë anembanë Shqipërisë do të hidhen në greva masive duke i përshkallëzuar ato deri në zhvillimin e një greve të përgjithëshme," shtoi Nikolli. Drejtuesit e firmës turke "Kurum International" u bënë thirrje punëtorëve ta braktisnin protestën, në të kundërt ata do të humbisnin vendin e punës./ch/
KOMENTE