English

Nis Punimet Seanca Plenare Në Kuvend

TIRANË, 24 Maj/ATSH/.- Kuvendi i Shqipërisë nisi sot pasdite punimet e seancës plenare të radhës me diskutimet jashtë rendit të ditës për çështje dhe problematika nga aktualiteti. Deputetët e Partisë Socialiste në opozitë janë prezentë në seancë, pas vendimit të marrë në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar socialist për rikthimin e tyre në Kuvend, por edhe në veprimtarinë e komisioneve parlamentare. Nga fillimi i legjislaturës së XVIII-të të Kuvendit më 7 shtator, opozita ka bojkotuar parlamentin, bojkot që zgjati gati 9 muaj dhe u thye vetëm gjatë debatit për djegien e mandateve të deputetëve, më 25 shkurt. Deputetët socialistë, nga kjo datë, kanë qënë prezentë në seancë plenare vetëm në minutat e debatit të lirë parlamentar, ku kanë deklaruar qëndrimet e tyre politike, ndërsa nuk kanë marrë pjesë në veprimtarinë e komisioneve të përhershme kuvendore. Pas fillimit të grevës së urisë më 30 prill, deputetët socialistë e bojkotuan totalisht Kuvendin. Kthimi i deputetëve socialistë në parlament pritet të rikthejë në normalitet zhvillimin e seancave parlamentare, të cilat për shkak të mungesës së opozitës, janë mbledhur vetëm të enjteve, për t'i lënë më shumë kohë komisioneve parlamentare për shqyrtimin e ligjeve. /a.s//a.ke/
KOMENTE