English

Prifti: Shitja E "Hotel Dajtit" Plotesisht Ligjore

TIRANE, 24 Maj /ATSH-E.Xhajanka/.- Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, deklaroi sot për ATSH-në, se "shitja me negociata e "Hotel Dajtit" për llogari të Bankës së Shqipërisë, është plotësisht ligjore dhe nuk përbën asnjë problem administrativ". Duke u ndalur në akuzat e opozitës për mungesë të transparencës publike në proçedurën e ndjekur për privatizim apo koston tre fish më të lartë se ankandet e mëparshme, ministri Prifti shprehu çudinë për xhelozinë e opozitës për përpjekjet që bën qeveria për të shtuar burimet financiare në buxhet. Kreu i ekonomisë deklaroi se shitja e Hotel 'Dajtit' nuk ka lidhje me Eurobondin, duke hedhur poshtë akuzat e opozitës për shitjen e këtij Hoteli Bankës së Shqipërisë kundrejt vlerës së 30 milionë eurove për të mbushur buxhetin, në kushtet kur qeveria ka shtyrë emetimin e eurobondit. Gjatë prononcimit të tij për ATSH-në, Prifti deklaroi se këto çështje nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën, pasi shtyrja e emetimit të eurobondit të parë shqiptar, ka ndodhur për shkak të rritjes së normës së interesit në tregjet financiare ndërkombëtare. Ai vlerësoi se shtyrja e proçesit është normale. Ndërkaq ish-guvernatori Shkëlqim Cani, sqaroi se qeveria është në emergjencë për të gjetur burime të reja parash, pasi të ardhurat aktuale nuk garantojnë as rritjen e pagave. Ndërsa shkon edhe me tej në argumentim, kur thotë se mungojnë të dhënat nga Banka e Shqipërisë që një blerje e tillë ishte e parashikuar në buxhetin e institucionit qëndror bankar. Sipas Canit, institucioni monetar ka shkelur rregulloren e prokurimeve, ku kërkohet nxitja e konkurrencës dhe përfitimi maksimal nga çdo tender. Ai tha se për te gjitha këto pyetje qe vijnë pas një transaksioni të tillë Banka e Shqipërisë nuk ka dhënë asnjë shpjegim. "Shqipëria do të mund të garantojë qëndrueshmëri ekonomike nëse përballon me sukses sfidën e tërheqjes së kapitalit dhe investimeve të huaja", thotë Cani. Në prag të hyrjes së Shqiperisë në tregjet financiare për të emetuar eurobondet, eksperti i ekonomisë nënvizoi se trajtimi i borxhit publik është faktor përcaktues në vlerësimet e investitorëve. "Konsolidimit fiskal dhe ulja e defiçitit buxhetor përbëjnë tregues të rëndësishëm për një ekonomi, ndaj dhe duan vëmendje të veçantë. Ata gjithashtu përbëjnë edhe një pikë reference për investitorët e huaj", vijoi ish-Guvernatori. Cani shprehu vlerësimin se politikat e kursit të lirë të këmbimit valuator të ndjekura nga Shqipëria kanë kontribuar ndjeshëm në menaxhimin e flukseve hyrëse të kapitalit, ndërkohë që shprehu bindjen se ndryshimet e kursit do të japin ndikim në çmimet e konsumit./s.s./
KOMENTE