English

Sport-Regbi/ Më 12 Qershor Debutimi I Skuadrës Shqiptare Të Regbisë Në Itali

TIRANË, 24 Maj /ATSH-Gjergji Mima/ - Dita e debutimit të skuadrës shqiptare të regbisë në Itali po afron. Ndeshja e prezantimit të parë të skuadrës shqiptare është parashikuar të zhvillohet në datën 12 qershor, në orën 18:00. Ekipi shqiptar në këtë ndeshje prezantuese do të përballet me një skuadër ku janë përzgjedhur lojtarët më të mirë të Italisë verilindore, të quajtur "Dozhët". Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin e regbisë së qytetit Pordenone, në rajonin Friuli Venezia Giulia. Në datat 14 dhe 15 qershor do të jenë takimet e radhës për ekipin shqiptar, drejtimi i së cilës i është besuar tre teknikëve të njohur italianë të regbisë, më i njohuri prej tyre është Valter Kristofoleto, ish-teknik i kombëtares italiane të këtij sporti. Sportistët e përfshirë në këtë skuadër janë 26 dhe janë të gjithë lojtarë që luajnë në kampionatin italian, duke filluar nga kategoria superiore, e quajtur Super 10, e deri në kategorinë C të këtij sporti. Më të njohurit prej tyre janë Sevian Daupi, që luan për Kazino Veneciamestre, Damin Buzaj i Gran Parma, Ogert Paço i Alghero, Besmir Metaliaj i Rekos, Kreshnik Xhanari i Breshias. Në këtë ndeshje, pritet të jetë i pranishëm edhe ministri i TKRS, Ferdinad Xhaferraj, si dhe autoritetet rajonale italiane që organizojnë këtë ngjarje. Ideatorët e këtij evenimenti, Gasper Daupi dhe Piergiorgio Grizzo, teknik i kombëtares italiane të regbisë, janë entuziastë për këtë ndeshje. "Skuadra është në një nivel të mirë. Jemi të sigurt që në këtë event do të marrin pjesë tifozë shqiptarë që jetojnë e punojnë në gjithë Italinë. Veç kësaj jemi të bindur që sporti i regbisë në Shqipëri mund të bëhet një sport tërheqës", janë shprehur dy ideatorët e kësaj ndeshjeje, e cila do të shënojë edhe debutimin në fushën e lojës për kombëtaren ndoshta më të re të botës në këtë sport, atë të Shqipërisë./s.s./
KOMENTE