English

Fishe Teknike - 60 Vjet Përplasje Mes Dy Koreve

ROMË, 25 maj /ATSH-ANSA/ - Koreja e Veriut vendosi sot ndërprerjen e të gjitha marrëdhënieve me Korenë e Jugut, përfshirë komunikacionin mes dy vendeve, njoftoi agjencia zyrtare koreanoveriore e lajmeve, KCNA. Më poshtë vijon historiku i shkurtër politik mes dy Koreve: Vitet '50 - Veriu infiltron agjentë në Jug për grumbullimin e informacioneve dhe krijimin e celulave revolucionare. Vitet '60 - Pheniani fillon infiltrimin e komandove që kryejnë aksione, ndërkohë që sulmet ndërkufitare përfundojnë me shkëmbime gjuajtjesh me artileri. Në vitin 1968 u infiltruan në Jug 600 koreanoveriorë. Një komando me 31 koreanoveriorë mbërrin vetëm 500 metra nga rezidenca e presidentit koreanojugor, por ndalohet nga një betejë që shkakton vdekjen e 28 ushtarakëve veriorë dhe 37 jugorë. Vitet '70 - Pheniani kërkon përsëri vrasjen e presidentit koreanojugor dhe të zyrtarëve të tjerë. Në nëntor 1970 një agjent verior vritet ndërkohë që po përpiqej të instalonte një bombë në Varrezat Kombëtare në Seul për të eliminuar presidentin Park Chung Hee. Në '74 një verior kërkon të vrasë përsëri Parkun në Seul, por nuk ia del dhe vret bashkëshorten e tij. Vitet '80 - Veriu përqëndron vëmendjen te agjentët sekretë. Në tetor 1983 tre 007-a nga Pheniani kërkojnë të vrasin presidentin e Jugut, Chun Doo Hwan, në vizitë në Birmani. Presidenti shpëton, por vriten 18 shoqërues të tij, përfshirë katër ministra. Në nëntor 1987 ndodh incidenti më i rëndë: një bombë shpërthen në një avion të ''Korean Air'' që vinte nga Lindja e Mesme. Vdesin 135 persona. Qershor 1999 - Betejë anijesh në Detin e Verdhë, përgjatë kufirit detar të armëpushimit, që nuk njihej nga Pheniani. Mbytet një anije nga veriu dhe vdesin rreth 80 persona. Qershor 2002 - Betejë e re detare. Rreth 20 të vdekur nga të dy palët. Janar 2010 - Gjuajtje me artileri nga veriu përgjatë kufirit detar. Nuk ka viktima. Mars-maj 2010 - Më 26 mars, përgjatë kufirit detar anija ushtarake e jugut ''Cheonan'' fundoset nga një shpërthim misterioz. Vdesin 46 marinarë. Flitet për një silur nga veriu. 25 maj 2010 - Lideri koreanoverio Kim Jong-il urdhëron ushtarakët e tij për gjendjen e luftës dhe vendos ndërprerjen e të gjitha marrëdhënieve me Korenë e Jugut, përfshirë komunikacionin mes dy vendeve./ a.jor.
KOMENTE