English

Hygeia, Spitali Më I Ri Privat Që Ofron Trajtim Mjekësor Cilësor Për Pacientët

- Cilësi dhe siguri për pacientin është motoja e këtij spitali, sipas drejtorit mjekësor Leonard Solis- TIRANË, 25 Maj/ATSH-Eriola Çuko/ .- Asnjë qytetari shqiptar nuk do t'i duhet më të udhëtojë jashtë shtetit për të marrë trajtim mjekësor cilësor, pasi atë do ta gjejë shumë shpejt këtu, u shpreh sot Leonard Solis, drejtues mjekësor në spitalin më të ri privat që i është shtuar sistemit shëndetësor shqiptar, spitali "Hygeia". Bordi drejtues i spitalit "Hygeia" prezantoi sot para mediave strukturën dhe shërbimet shëndetësore që shqiptarët, por edhe të ardhur nga vende të rajonit, do të gjejnë në të që prej datës 1 korrik (2010), kur ky spital do të hapë dyert. Gjatë një konference për shtyp, Solis e konsideroi "fat të madh për Shqipërinë këtë sistem privat, i cili do të jetë komplementar i sistemit shëndetësor publik dhe do të ofrojë shërbimet shëndetësore, ashtu sikurse ofron në vendet europiane". "Duke ofruar elitën e shkencës shqiptare, duke qenë një spital jo vetëm trajtimi, por edhe trajnimi për mjekët, familjarizimin e tyre me metodat bashkëkohore, ky spital do të jetë pionier që të reflektojë e rrezatojë të gjithë sistemin publik shqiptar dhe të rifreskojë njohuritë dhe të sistemit publik". Grupi Hygeia, sipas tij, ka bërë revolucion edhe në sistemin shëndetësor grek. Akselatori linear është një nga pajisjet mjekësore të këtij spitali, i cili përmirëson dukshëm dhe ndryshon prognozën e një kanceri, përmirëson dhe zgjat jetëgjatësinë e pacientit dhe shumë kancere i trajton me sukses, vuri në dukje Solis. Ndërkohë, në këtë spital do të aplikohet çdo teknologji e re për të rritur jo vetëm nivelin e trajtimit mjekësor, por dhe duke rritur njohuritë e mjekëve. "Do të jetë një universitet për të gjithë mjekët tanë për procesin e edukimit në vazhdim", theksoi Solis. "Ne do të jemi seriozë për të ofruar cilësi dhe siguri të pacientëve", tha ai, duke garantuar se "do të çajmë nëpërmjet cilësisë dhe sigurisë së pacientëve". Drejtori i Menaxhimit Operacional, Sokol Dedja, shtoi se "siguria për pacientët dhe shërbimet me cilësi të lartë garantohen nëpërmjet pajisjeve mjekësore më të mira që teknologjia botërore mund të ofrojë, qendrave mjekësore të strukturuara në bazë të standardeve ndërkombëtare për cilësinë dhe efiçencën e lartë, doktorët më të zotë shqiptarë dhe të huaj që ndodhen në proces trajnimi të vazhdueshëm, si dhe shërbimit ndaj klientit më të mirë nga infermirët dhe punonjësit e tjerë". "Dëshira dhe qëllimi ynë është të përgatisim dhe ofrojmë 'paketat e mbyllura' dhe shërbimin e sigurimit privat, që do t'i mundësojë sa më shumë individëve aksesin në shërbimet tona", theksoi Dedja. Sa u takon çmimeve që do të aplikohen në të, Dedja tha se "ato do të jenë rreth 50 % e çmimeve në spitalet në Greqi, për të njëjtën cilësi shërbimi". Nga ana e tij, drejtori i Politikave të Zhvillimit të Grupit Hygeia, Antonios Michopoulos, vuri në dukje se ky është investimi më i madhe privat në sistemin shëndetësor shqiptar, me një kosto prej rreth 60 milionë euro. Ky spital, sipas tij, do t'i ofrojë shqiptarëve akses të drejtpërdrejtë tek qendrat mjekësore të standardeve të larta, teknologjisë dhe mjekëve që gëzojnë individët e vendeve më të përparuara të Europës dhe botës. "Spitali synon të ofrojë një spektër të gjerë shërbimesh në 23 fusha mjekësore, duke përfshirë 'Qendrat e përsosmërisë' në Diagnostikim, Onkologji, Kardiologji, Obstetrikë dhe Pediatri. Për këtë qëllim ai do të bashkëpunojë me spitalet e tjerë të grupit Hygeia të vlerësuar ndërkombëtarisht për cilësinë dhe besueshmërinë e tyre", tha Michopoulos. Në kapacitet të plotë, spitali do të përfshijë 220 shtretër, 13 salla operimi, 16 shtretër të njësisë së përkujdesit intensiv, 5 dhoma shpërndarjeje, 14 shtretër kimioterapik, 8 shtretër për operimet njëditore, 8 njësi të dializës së veshkës, 8 shtretër të njësisë së përkujdesjes intensive për të porsalindurit dhe 2 ambulanca. Spitali do të bashkëpunojë me rreth 1 mijë specialistë shqiptarë të shërbimit shëndetësor, ndërsa do të ketë një staf punonjësish prej rreth 400 vetësh. Spitali ka një sipërfaqe prej rreth 25 mijë m2 dhe në të funksionojnë 11 ashensorë. Spitali Hygeia i Tiranës është anëtar i grupit të mirënjohur për besueshmërinë dhe cilësinë e tij HYGEIA. Ky grup është lider në shërbimin shëndetësor të integruar të Europër Juglindore, i pranishëm me 10 spitale në Greqi, Turqi, Qipro dhe së fundi në Shqipëri. Ai ka një eksperiencë 40 vjeçare dhe ka qenë një pionier për teknologjinë e re, shërbimet dhe arritjet mjekësore./s.s./
KOMENTE
  • mace23:29 - 13 Qershor 2011
    eshte spitali me i mire ne shqiperi.
  • kasandra15:46 - 08 Korrik 2010
    shume mire qe eshte hapur si spital,por doja te dija pse beni diferencime ne perzgjedhjen e infermjereve.