English

Mash-Sindikata: Nënshkruhet Marrëveshja Për Kontratën Kolektive Të Punës

TIRANË, 25 Maj/ATSH/.- Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, Kryetari i Federatës së Sindikatave të Arsimit dhe Shkencës të Shqipërisë (FSASH), Xhafer Dobrushi, dhe Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Arsimit të Shqipërisë (SPASH), Bajram Kruja, nënshkruan sot Marrëveshjen për Kontratën Kolektive të Punës. Palët, mbas negocimeve të zhvilluara, vendosen që të përsërisin kontratën e deritanishme kolektive të punës të datës 4 korrik 2006, duke i bërë asaj ndryshimet, plotësimet dhe përmirësimet e nevojshme dhe duke e shtrirë për periudhën kohore deri më 31 dhjetor 2014. Ministri Tafaj, duke theksuar se kontrata përbën një hap më përpara në krahasim me atë të deritanishme, përmendi disa nga elementët e rinj të përfshirë në të. Ai tha se kontrata përcakton një draft-rregullore për statusin e mësuesit si dhe përpunimin, përgatitjen dhe miratimin e kodit të etikës së mësuesit. Kontrata kolektive e punës përfshin edhe pedagogët e arsimit të lartë dhe bën një hap përpara edhe në rregullimin e marrëdhënieve të punës në kuptimin e punësimit, rekrutimit, por edhe të ndërprerjes së marrëdhënieve të punës. Një element tjetër i kontratës është saktësimi për punonjësit e arsimit që plotësojnë moshën e pensionit pa mbaruar vitin shkollor. Ministri Tafaj, duke siguruar sindikatat se do të kenë mbështetjen e vazhdueshme për çdo problem që lind në rregullimin e marrëdhënieve të punës të punonjësve të arsimit, theksoi se interesi ynë madhor është dhe do të mbetet: mësuesi në qendër të çdo reforme në arsim. "Ne e kemi objektiv të qartë të programit tonë politik. Çdo reformë në arsim ka vetëm një kyç suksesi dhe ky është mësuesi. Ne jemi të interesuar që statusi i mësuesit të vijë duke u përmirësuar dhe raportet e marrëdhënieve të punës të jenë gjithmonë në përputhje me standardet evropiane", tha Tafaj. /e.gj//a.ke/
KOMENTE