English

Rama falenderon Uithersin: Ne jemi gati për zgjidhje, PD të mos fshihet pas alibive

Tiranë, 25 maj, NOA – Deklarata e bërë një ditë më parë nga Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhon Uithers, është cilësuar nga Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, si një mbështetje ndaj kauzës së Partisë Socialiste.

Në një deklaratë për mediat, ku kreu i PS-së pritej të fliste për takimin me Presidentin Topi, është fokusuar më tepër në qëndrimin e Ambasadori të SHBA-ve për situatën politike në vend.

“Falënderoj ambasadorin Uithersin për fjalët e shkoqura që tha dje duke ngritur shqetësime të mëdha”, u shpreh kreu i PS-së.

Rama i ka vlerësuar si të drejta shqetësimet e ambasadorit Uithers për drejtësinë dhe u ndal në rrëzimin e kandidaturës së Vangjel Kostës për në Gjykatën Kushtetuese.

“Ndaj me SHBA shqetësimin e jashtëzakonshëm për sistemin e drejtësisë në vend.

Rrëzimi i Vangjel Kostës, ishte një rrëzim për motive të errëta në kundërshtim të plotë më ligjet”, tha Rama.

Duke u kthyer në situatën politike në vend, Rama ka theksuar se oferta e opozitës për t’i dhënë fund krizës politike është në tavolinë dhe pret një përgjigje. “Opozita është e gatshme të japë zgjidhjen e duhur, pa cënuar transparencën dhe respektimin e Kushtetutës”, tha ai.

Rama shtoi se askujt nuk i intereson që kriza të thellohet në dëm të stabilitetit institucional të vendit dhe duke ndikuar në thellimin e krizës ekonomike. “Kjo krizë duhet të marrë fund një orë e më parë. Zgjidhja e kompromisit është në tavolinë. Ne jemi gati për zgjidhje, pala tjetër s’ka përse të fshihet pas alibive”, tha Rama.

m.xh/NOA
KOMENTE