English

Sport-Dossier/ "Nga Mali I Zi, Tek Mali I Zi", 75 Miqësoret E Shqipërisë

- Nga Mali i Zi te Mali i Zi, një udhëtim statistikor i Kombëtares shqiptare. Fitorja më e thellë: Shqipëri-Qipro 6-1, humbja më e thellë Hungari-Shqipëri 12-0- TIRANË, 25 Maj /ATSH-Gjergji Mima/ - Nga ndeshja miqësore kundër Malit të Zi më 22 shtator 1946 e fituar 5-0 dhe deri të takimi i fundit miqësor ndërkombëtar kundër Irlandës së Veriut (1-0), më 3 mars 2010, Shqipëria ka zhvilluar jo pak, por 75 miqësore (27 fitore, 21 barazime dhe 27 humbje). Shqipëria nuk humbet prej gjashtë ndeshjesh, qysh kur humbi me Poloninë 1-0 në Reutlingen të Gjermanisë nën drejtimin e holandezit Ari Han, më 27 maj 2008. Sot në orën 20:15, në Podgoricë, Shqipëria do të luajë takimin e dytë historike me Malin e Zi. Në takimin e parë (në Shkodër), fitorja e Shqipërisë (5-0) u realizua jo vetëm falë golave të Jukës (2), Telitit (2) dhe Bizhuta (1), por dhe drejtimit në bankinë të trajnerit serb, Ljubisha Broçiç, i pari trajner i huaj, që ka drejtuar Kombëtaren tonë (ka fituar Kampionatin Ballkanik, në vitin 1946). Në sfidën e dytë kundër malazezëve, në krye të stolit kuqezi është sërish një trajner i huaj, kroati Josip Kuzhe, tekniku që mban edhe rekordin e fitores 6-1 kundër Qipros më 12 gusht 2009 (po me pesë gola diferencë, ashtu si Hans Peter Brigeli kundër Vietnamit modest, po 5-0 në Norçia të Italisë). Për trajnerin kroat të përfaqësueses miqësorja kundër Malit të Zi dhe Andorrës do të jenë ndeshja e pestë dhe e gjashtë, ku deri tani në katër të parat ka koleksionuar 2 fitore (Qipro, Irlanda e Veriut) dhe 2 barazime (Gjeorgji, Estoni), duke mos e njohur shijen e hidhur të humbjes. Një tjetër "rekord" unik i trajnerit të dytë kroat të Shqipërisë, pas Oto Bariçit (4 ndeshje, 2 fitore, 1 barazim dhe 1 humbje). Në ndeshjet miqësore, Shqipëria ka vendosur edhe dy rekordet ekstreme të saj: humbjen më të thellë, 12-0 me Hungarinë (24 shtator të vitit 1950, Budapest) dhe fitoren më të bujshme, 6-1 kundër Qipros (12 gusht të vitit 2009, Tiranë). Ndeshja e parë miqësore e Shqipërisë e njohur nga FIFA, duke përjashtuar atë kundër Malit të Zi (ende nuk konsiderohej një shtet) është ajo kundër Rumanisë, më 23 tetor në Bukuresht e të përfunduar në barazim 1-1 (gol i Qamil Telitit, 49'), por në regjinë e trajnerit rus Boris Apuhtin. Fitorja e parë daton më 4 qershor 1950, në fitoren 2-1 kundër Bullgarisë, falë golit të rrallë të Loro Boriçit (21') e të kompletuar nga Vafsi Biçakut (56'). Fitoret më të thella të kombëtares shqiptare janë: Shqipëri-Qipro 6-1, Shqipëri-Vietnam 5-0 dhe Turqi-Shqipëri (1-4). Humbja e parë është ajo me Poloninë, në Varshavë më 6 nëntor 1949 me rezultatin 2-1, ku për Shqipërinë golin e vetëm e shënoi Zihni Gjinali. Humbjet më të thella janë: Hungari-Shqipëri 12-0 dhe Rumani-Shqipëri 6-0. Në fakt, si një humbje e turpshme mund të konsiderohet edhe ajo 2-0 me Andorrën (17 prill 2002). Gjeografia e miqësoreve të Shqipërisë shtrihet në katër kontinentet, madje edhe me Kinën në Azi, Bahreinin në Afrikë, Meksikën në Shtetet e Bashkuara, por dhe me Kubën, madje edhe me dy miqësore të bujshme si ato me Anglinë në Bërnli dhe Portugalinë. Gjithsej në takimet miqësore Shqipëria ka arritur 27 fitore, 21 barazime dhe 27 humbje./n.m/
KOMENTE