English

Durrës: Nxënësit, Veprimtari Sportive Në Ditën E Edukimit Olimpik

DURRËS 26 maj /ATSH-Gëzim Kabashi/ - Mbi 500 nxënës të shkollave 9-vjeçare të Durrësit kanë festuar sot Ditën e Edukimit Olimpik me një sërë veprimtarish sportive të organizuara në shëtitoren Taulantia të qytetit bregdetar. Veprimtaritë e organizuara nga Qendra kulturore e fëmijëve (QKF) në bashkëpunim me Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH) kanë nisur me ndezjen e flakës olimpike në një ceremoni të zhvilluar pranë amfiteatrit dhe mureve mesjetare të qytetit antik, ndërsa më pas gjithçka është zhvendosur në mjediset e shëtitores Taulantia, e cila ishte zbukuruar si në ditë feste. Stendat e vendosura pranë monumentit të Rezistencës kanë qenë në dispozicion të piktorëve të vegjël, që mësojnë në kurset jashtëshkollore të QKF. Ata kanë punuar për afro dy orë vizatime dhe skica me temë nga fryma olimpike e bashkëpunimit dhe solidaritetit sportiv dhe njerëzor. "Këto punime së bashku me tablotë dhe vizatimet e bashkëmoshatarëve në qytete të tjera të vendit do të paraqiten në konkursin e organizuar nga KOKSH dhe vepra fituese do të shërbejë si logo e këtij komiteti gjatë sezonit të ardhshëm olimpik," bënë të ditur për ATSH-në burime zyrtare nga QKF. Fëmijët e moshave 10-15 vjeç kanë konkuruar në garat e notit dhe të karatesë, në ato me patina dhe në krosin e organizuar për vajza dhe djem, ndërsa grupe të tjera nxënësish janë ndeshur në disiplinat sportive të futbollit, shahut dhe pingpongut. Në përfundim të garave vendin e parë e ka merituar shkolla "Vinçens Prendushi", ndërsa në vendin e dytë dhe të tretë janë renditur grupet përfaqësuese të shkollave "Shaqe Mazreku" dhe "Kushtrimi i lirisë"./ch/
KOMENTE