English

Ekonomi - Ocde - Vendet E Zhvilluara: Rimëkëmbja Ekonomike Po Përshpejtohet, Por Borxhi Rrit Rreziqet

PARIS, 26 maj /ATSH-AFP/ - OCDE-ja rishikoi sot me rritje parashikimet e saj për rritjen ekonomike në vendet e zhvilluara, ku ajo pret një rritje të PBB-së prej 2,7 për qind në vitin 2010 dhe 2,8 për qind në vitin 2011, por parashikon se disa rreziqe "më të larta" se më parë kërcënojnë rimëkëmbjen kryesisht për shkak të krizës së borxhit. Në edicionin e mëparshëm të "perspektivave ekonomike", i publikuar në nëntor, Organizata për Bashkëpunimin dhe Zhvillimin Ekonomik parashikon një rritje prej 1,9 për qind këtë vit dhe 2,5 për qind vitin e ardhshëm në zonën e saj, që përfshin vendet kryesore të pasura të botës. Pas recesionit më të rëndë që prej periudhës së pasluftës, aktiviteti pritet të rritet me 3,2 për qind në vit gjatë viteve 2010 dhe 2011 në Shtetet e Bashkuara (+2,5 për qind dhe 2,8 për qind në parashikimet e mëparshme). Pra, ai do të jetë më dinamik se në zonën euro, edhe pse parashikimet janë rishikuar me një rritje të lehtë për 16 vende që përdorin monedhën e përbashkët: rritja pritet të jetë 1,2 për qind në vitin 2010 dhe 1,8 për qind në vitin 2011 (0,9 për qind dhe 1,7 për qind të parashikuara më parë). "Rritja po rifillon në zonën e OCDE-së me ritme të ndryshme sipas rajoneve dhe duket më dinamike se gjatë parashikimeve të mëparshme", bëri të ditur organizata me seli në Paris. "Megjithatë, rreziqet që rrethojnë rimëkëmbjen botërore duken më të larta sot, për shkak të paqëndrueshmërisë së tregjeve të borxhit të shteteve dhe të rishfaqjes së çekuilibrave botërorë", shtoi ajo. /I.Pu.
KOMENTE