English

Një mijë e një net, kryevepra arabe mbërrin në tre vëllime

Tiranë, 26 Maj, NOA /Milena Selimi - Vazhdojnë të mrekullojnë Perëndimin, ndërsa kryevepra arabe pushton sërisht mendjet, ëndrrat dhe fantazitë e lexuesit shqiptar.

Sapo janë hedhur në treg tre vëllimet e përrallave “Një mijë e një net”, botim i shtëpisë botuese Toena, në përkthimin e Sonila Kapos.

Zanafilla e kësaj përmbledhje me titull “Një mijë e një net” ashtu si dhe sfondi i saj historik që i shërben si kornizë, janë me gjasë me origjinë indiane, megjithëse ekziston tashmë një version edhe në arabisht që i përket shekullit IX.

E pasuruar dhe e përpunuar në vazhdimësi përgjatë shekujve, kjo përmbledhje arriti të merrte, vetëm më ‘1400-ën, formën në të cilën e kemi sot.

”Një mijë e një net” është ndoshta përmbledhja më e jashtëzakonshme e historive e të gjithë letërsisë.

Preteksti që i jep jetë narracionit dhe që është në zanafillë të titullit është shumë i njohur: princesha Shehrazade arrin të shpëtojë nga vdekja, me të cilën i ndëshkonte sulltani dashnoret e tij të një nate, duke i treguar një numër të pafundëm historish të mrekullueshme, të ngërthyera njëra me tjetrën me mençuri si loja e kutive kineze.

Për një mijë e një net, sulltani mizor do të dëgjonte i mahnitur aventurat e princeshave të bukura, mbretërve të fuqishëm, xhindeve me fuqi të jashtëzakonshme, apo për personazhet, emrat e të cilëve janë tashmë të njohur, si Aladini, Simbad detari ose Ali Baba.

Në fund të tregimeve, sulltani nuk mund të bënte tjetër veçse të dashurohej me Shehrazaden. m.s/n.e/NOA
KOMENTE