English

Be-Ballkan Perëndimor: Ashton, Fule Dhe Moratinos Në Samitin E 2 Qershorit

SARAJEVË, 28 maj /ATSH-AFP/ - Shefja e diplomacisë së BE-së Catherine Ashton dhe komisioneri evropian për Zgjerimin, Stefan Fule, do të marrin pjesë në një mbledhje për perspektivën e zgjerimit të Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor më 2 qershor në Sarajevë, njoftuan sot burime zyrtare. Ministri i Jashtëm spanjoll, Miguel Angel Moratinos, vendi i të cilit mban presidencën e radhës së BE-së deri në fund të qershorit dhe organizon samitin e Sarajevës, do të jetë gjithashtu i pranishëm, bëri të ditur Ministria e Jashtme boshnjake përmes një komunikate për shtyp. Ministria nuk dha detaje lidhur me pjesëmarrjen e personaliteteve të tjerë të politikës në mbledhjen e Sarajevës, por, sipas shtypit vendas, disa shefa të diplomacisë së vendeve të BE-së pritet të udhëtojnë drejt kryeqytetit bosnjak për të konfirmuar mbështetjen ndaj perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor. Zyrtarë të lartë amerikanë, rusë dhe turq pritet gjithashtu të marrin pjesë. Në këtë mbledhje do të jenë të pranishëm edhe ministrat e Jashtëm të të gjitha vendeve të rajonit, që ndodhen në faza të ndryshme të procesit të anëtarësimit në BE, mes tyre Kroacia që shpreson të bëhet pjesë e bllokut evropian në vitin 2012. Në një gjest të vullnetit të mirë dhe inkurajimi përpara mbledhjes, Komisioni Evropian propozoi heqjen e vizave në vjeshtë për qytetarët e Shqipërisë dhe Bosnjë-Hercegovinës duke u kërkuar autoriteteve të të dy vendeve të punojnë për përmbushjen deri atëherë të kushteve të fundit të kërkuara nga Brukseli, veçanërisht për sa i përket luftës kundër korrupsionit. E përgatitur sipas formulës së quajtur "Gymnich", që do të thotë se pjesëmarrësit do të paraqiten atje vetëm me emrat e tyre dhe jo me funksionet, në këtë mbledhje pritet gjithashtu të ulen në të njëjtën tavolinë edhe zyrtarë kosovarë e serbë. /I.Pu.
KOMENTE