English

Durrës: Konferenca Ndërkombëtare, "Gjergj Kastrioti-Historia Dhe Imazhi"

DURRËS, 28 maj /ATSH-Gëzim Kabashi/ - "Për shqiptarët, Skënderbeu është emocion, krenari dhe model i përjetshëm, u shpreh të premten Presidenti Bamir Topi në konferencën "Gjergj Kastrioti-historia dhe imazhi", të organizuar nga Qendra e Studimeve Albanalogjike dhe Universiteti "Marin Barleti" në Durrës. "Për shqiptarët Skënderbeu është emocion, krenari dhe model i përjetshëm," tha Topi. Sipas tij, vlerësimi dhe rivlerësimi i figurës madhore të Skenderbeut kanë motivuar përpjekjet për Pavarësi dhe shtetformim të shqiptarëve. "Me 25 vitet e qëndresës së tij të paepur, Gjergj Kastrioti u bë për ne shqiptarët liria e shenjtë dhe e patjetërsueshme", tha Presidenti Topi, që e quajti një strateg ushtarak dhe poet të diplomacisë shqiptare, njëkohësisht hero shqiptar dhe evropian. "Duke ndjekur aleancat e të madhit Skenderbe," tha Topi, duke cituar presidentin e ndjerë të Kosovës, Ibrahim Rugova, "tashmë ia kemi dalë të jemi anëtarë të NATO-s, aleancës më të madhe politiko-ushtarake të lirisë dhe demokracisë dhe natyrshëm po bëjmë hapa drejt Bashkimit Evropian, familjes natyrale të së cilës i përkasim". Konferenca "Gjergj Kastrioti-historia dhe imazhi" u hap nga Rektori i universitetit "Marin Barleti", prof. Dr. Nikolla Dhamo dhe Drejtori i Qendrës së Studimeve Albanalogjike, prof. Dr. Ardian Marashi. Më pas prof. Dr. Selim Daci në mënyrë sintetike bëri një panoramë të shkurtër të periudhës mesjetare në trojet shqiptare dhe bashkimit të principatave kundër osmanëve nën udhëheqjen e Skënderbeut. Konferencat më të njohura shkencore për figurën e Skenderbeut janë mbajtur në vitin 1968 me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së heroit tonë kombëtar dhe në vitin 2005 me rastin e 600-vjetorit të lindjes së tij. Konferenca vazhdon punimet./ch/
KOMENTE