English

Gjykata Hap Procesin Ndaj Dritan Dajtit, Akuzohet Per Vrasjen E 4 Punonjesve Te Policise

-Përfaqësuesi i prokurorisë lexoi kërkesën për gjykimin e të pandehurit Dajtit si dhe dy të dyshuarve si bashkëpuntorë të tij, njëri nga të cilët ish- punonjës i Policisë së Durresit- TIRANË, 28 Maj/ATSH/ Andi Myrte/.- Pas shumë seancash të dështuara, Gjykata e Krimeve të Rënda më në fund ka nisur sot procesin gjyqësor ndaj Dritan Dajtit që akuzohet për vrasjen e katër punonjësve të Policisë së Shtetit në Gusht të vitit 2009 në Durrës. Në këtë proces, Dajti do të procedohet së bashku me dy të dyshuarit si bashkëpunetorë të tij, kunatin e tij, Ergest Xhorxhi dhe ish- punonjësin e policisë së Durrësit, Mariglen Muça. Gjatë seancës së zhvilluar të premten në Gjykatën e Krimeve të Rënda, përfaqësuesi i prokurorisë, Ardian Nexha, lexoi për afro 30 minuta kërkesën për procedimin e 3 të pandehurve, duke njoftuar akuzat e rënda të ngritura ndaj tyre. Prokurori Nexha prezantoi rezultatet e hetimit për ngjarjen e rëndë të 9 Gushtit të 2009 në Durrës, duke e akuzuar të pandehurin Dajti si autorin e vrasjes me armë zjarri të katër ish-oficerëve të Policisë së Shtetit, Festim Xhanin, Artur Duçkollarin, Altin Dizdarin dhe Kastriot Feskën. Më tej, prokurori Nexha tregoi akuzat e ngritura për dy të pandehurit e tjerë të procesit. Kështu, të pandehurin Ergest Xhoxhi e akuzoi për përkrahjen e Dajtit në tentativat e tij për t'iu shmangur forcave të rendit kur ishte në kërkim si dhe për falsifikim dokumentesh. Ndërkohë që ish- punonjësin e Policisë së Durrësit, Mariglen Muca, e akuzoi për "abuzim me detyrën", duke nënkuptuar ndihmën e dhënë prej tij ndaj Dajtit kur ai ishte në kërkim nga autoritet e drejtësisë. Gjatë kësaj seance, prokurori listoi edhe provat për të provuar fajesinë e të pandehurve si dhe paraqiti listën me dëshmitarët që do të thërriten në këtë proces, që janë mbi 20 persona. Pjesemarrës në këtë seancë ishin të pandehurit Mariglen Muca dhe Ergest Xhoxhi, ndërsa mungoi për arsye shëndetësore i pandehuri Dritan Dajti. Para hapjes së procesit gjyqësor, dy të pandehurit kërkuan veçimin e cështjes nga ajo e Dajtit, por kërkesa e tyre është kundërshtuar nga prokuroria e më pas Gjykata me argumentimin se dëmtohet procesi. Seanca e sotme shënon fillimin e shqyrtimit gjyqësor të çështjes, pas shumë seancash të pezulluara në këto tre muaj përgjithësisht për shkak të mungesës së të pandehurve dhe avokatëve të tyre mbrojtës. Gjithcka që lidhet me këtë proces ka ndodhur më 9 Gusht të vitit 2009 në Durrës, ku katër efektivë të Policisë së Shtetit mbetën të vrarë me armë zjarri në operacionin për të arrestuar të shumëkërkuarin Dritan Dajti. I pandehuri Dajti akuzohet se hapi zjarr ndaj forcave të rendit duke vrarë efektivët e policisë Festim Xhanin, Artur Duçkollarin, Altin Dizdarin dhe Kastriot Feskën, shpallur Dëshmorë të Atdheut. Gjatë shkëmbit të zjarrit me policinë, i pandehuri Dajti akuzohet se ka vrarë edhe mikun e tij Ledion Mara. I plagosur edhe vetë në këtë operacion, Dajti u arrestua dhe më pas u izolua në Spitalin e Burgut. Pas trajtimit mjeksor, ai është izoluar në qelitë e burgut të Tiranës. 38 vjecari Dajti ishte shpallur në kërkim nga autoritet policore, pasi ishte arratisur nga Gjykata e Tiranës në vitin 2003, ndërsa procedohej për vrasjen e një biznesmeni në Tiranë për të cilën u dënua me burgim. Gjatë kohës që ishte në arrati, Dajti, sipas burimeve të policisë, mendohet se ka qenë edhe jashtë vendit, ku dyshohet se është përfshirë në veprimtari ilegale. Ndërkohë që kohët e fundit ai strehohej në qytetin e Durrësit. /a.ke/
KOMENTE