English

Kinematografi - Rumani - Fillon Festivali I Filmit Të Transilvanisë, Një Nga Më Të Rëndësishmit Në Ballkan

CLUJ, 28 maj /ATSH-AFP/ - Festivali ndërkombëtar i filmit në Transilvani, TIFF, një nga më të rëndësishmit në Ballkan u hap sot në Cluj, në verilindje, për edicionin e nëntë gjatë të cilit do të konkurrojnë 240 filma nga 47 vende dhe regjisori gjerman Wim Wenders është i ftuari special i tij. "Pavarësisht krizës ekonomike, ky është edicioni më ambicioz i festivalit", theksoi presidenti i tijj, Tudor Giurgiu gjatë një konference shtypi. Përveç garimit zyrtar me veprat më të mira evropiane, Festivali (www.tiff.ro) propozon seksione tematike: "professsion actrice" apo "Less is more" kushtuar filmave kolektivë, një zhanër i panjohur, por që kohët e fundit është bërë popullor me filma si "Contes de l'age d'or" (Rumani) apo "Paris, je t'aime". Në këtë seksion të fundit do të përfshihet ndër të tjera filmi kolektiv "Revolucion", i realizuar nga 10 regjisorë meksikanë për të dhënë vizionin e tyre për jetën, 100 vjet pas revolucionit. Një seksion i tërë do t'i kushtohet kinemasë izraelite me 15 filma dhe me praninë e regjisorit të "Lebanon", Samuel Maoz. Rreth 40 filma të metrazhit të shkurtër do të jenë gjithashtu në garë si dhe krijimet e fundit të kinemasë rumune, një nga më dinamiket në Evropë. Për herë të parë, do të organizohen projektime filmash jashtë, në sheshin Unirii të qytetit Cluj, një nga sheshet më të mëdha mesjetarë të Evropës Lindore. Çmimet do të jepen një ditë përpara mbylljes, të shtunën më 5 qershor. /I.Pu.
KOMENTE