English

Meta: Zgjidhja e krizës, brenda Kushtetutës dhe duke respektuar transparencën

Kopenhagen, 28 Maj, NOA – Qeveria shqiptare gëzon vullnet të plotë për të plotësuar kërkesat e ligjshme të opozitës përmes dialogut konstruktiv, si dhe për të gjetur një zgjidhje sa më të qëndrueshme, brenda kornizës kushtetuese dhe duke respektuar parimin e transparencës.

Një fakt të tillë, ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, ia ka komunikuar homologes së tij daneze, Lene Espersen, gjatë një takimi të përbashkët në Kopenhagen, duke e informuar atë lidhur me zhvillimet më të fundit politike në vendin tonë.

Së bashku, dy homologët vlerësuan se marrëdhëniet Shqipëri-Danimarkë janë shumë të mira dhe shprehën vullnetin e përbashkët për intensifikimin e tyre në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë.

Në këtë kontekst, Meta çmoi kontributin e vyer që Danimarka ka dhënë në konsolidimin e demokracisë dhe të drejtave të njeriut në Shqipëri, përmes projekteve konkrete në mbështetje të shoqërisë civile.

Nga ana e saj, Espersen shprehu interesin për të inkurajuar kompanitë daneze që të investojnë në Shqipëri, veçanërisht në fushat e energjisë, agro-përpunimit dhe turizmit. Në këtë kuadër, u vu theksi tek rritja e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve dhe u diskutua mbi mbledhjen së shpejti të Forumit Ekonomik Shqipëri-Danimarkë, me qëllim zgjerimin dhe thellimin e shkëmbimeve tregtare.

Gjithashtu, Meta dhe Espersen biseduan edhe mbi procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Në këtë kontekst, ajo e uroi z.Meta për propozimin e Komisionit Evropian lidhur me udhëtimin pa viza për qytetarët e Shqipërisë, duke vlerësuar këtu punën e autoriteteve shqiptare në përmbushjen e kërkesave të Udhërrëfyesit.

Gjithashtu, ajo shprehu mbështetjen e Danimarkës për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke theksuar rëndësinë e vazhdimësisë së reformave si dhe të përmirësimit të klimës politike në vend, me qëllim afrimin sa më të shpejtë të Shqipërisë me BE.

Në kontekstin e zhvillimeve rajonale, Espersen shprehu vlerësimin e Danimarkës për rolin konstruktiv që Shqipëria luan në rajon, veçanërisht ndaj Kosovës, duke vlerësuar kontributin e madh që politika e fqinjësisë së mirë luan në ruajtjen e stabilitetit dhe paqes në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

n.e/NOA

KOMENTE