English

Rusi - Medvedev Kërkon Një Ratifikim Të Njëkohshëm Me Shba-Në

MOSKË, 28 maj /ATSH-AFP/ - Presidenti rus, Dimitri Medvedev, ia paraqiti sot parlamentit traktatin e ri të çarmatosjes bërthamore ruso-amerikane START dhe u kërkoi deputetëve ta ratifikojnë atë në të njëjtën kohë me Shtetet e Bashkuara për të mos qenë "të tradhëtuar". "Paraqita sot për ratifikim traktatin për zvogëlimin e numrit të armëve ofensive", deklaroi presidenti, mësohet nga një reportazh i televizionit rus, gjatë një takimi me anëtarë të partisë Rusia e Bashkuar, që ka shumicën në parlament. "Do t'u kërkoja deputetëve të Dumës dhe të Këshillit të Federatës", Dhoma e Ulët dhe e Lartë e parlamentit, të përpiqen që ratifikimi të sinkronizohet me Shtetet e Bashkuara, as më parë as më vonë", theksoi ai. "Kjo do të bënte të mundur arritjen e një besimi më të madh", vazhdoi Medvedev. "Në historinë e Bashkimit Sovjetik, ka patur raste kur jemi tradhëtuar, nuk mund ta pranojmë më këtë", përfundoi ai pa dhënë hollësi të mëtejshme. Medvedev dhe homologu amerikan Barack Obama nënshkruan më 8 prill në Pragë "Traktatin e ri START" që konretizon angazhimin e Rusisë dhe të Shteteve të Bashkuara për të zvogëluar në mënyrë të ndjeshme numrin e armëve të tyre bërthamore strategjike. Presidenti Obama dërgoi më 13 maj në Senat traktatin e ri START. Moska dhe Uashingtoni parashikojnë ta ulin numrin e mbushjeve bërthamore në 1 550 secili, që përbën një rënie prej 74 për qind në krahasim me kufirin e traktatit START, akronim i "Strategic Arms Reduction Talks" (Bisedime për zvogëlimin e armëve strategjike), marrëveshje e nënshkruar në vitin 1991 dhe që skadoi në fund të vitit 2009. Për të hyrë në fuqi, ky traktati duhet të ratifikohet nga Senati, për amerikanët dhe nga Duma, për sa u përket rusëve, konform kushtetutave të të dy vendeve. /I.Pu.
KOMENTE