English

Sajoi prova të rreme mbi një krim, SHKB arreston oficerin e policisë gjyqësore

Fier, 28 Maj, NOA – Pas një hetimi disa-mujor të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në ministrinë e Brendshme, në bashkëpunim me njësinë Task-Force të prokurorisë së Fierit, u krye arrestimi i oficerit të Policisë Gjyqësore pranë Policisë së Fierit, Vasil Ristani.

Lajmi bëhet me dijeni për agjencinë e Lajmeve NOA, nga burimet të ministrisë së Brendshme, sipas të cilave, gjykata e Fierit i ka dhënë të ndaluarit Ristani edhe masën e arrestit me burg.

Mësohet se Ristani akuzohet se për qëllime përfitimi dhe duke shpërdoruar atributet e policisë gjyqësore, ka sajuar prova të rreme gjatë hetimit të një ngjarje të rëndë kriminale duke sjellë si pasojë pafajësinë e një autori vrasje.

Ndërkaq, ai gjendet tani para drejtësisë për kryerjen e veprës penale të korrupsionit pasiv të kryer nga persona që ushtrojnë funksione publike dhe të shpërdorimit të detyrës, vepra penale këto të parashikuara nga nenet 259 dhe 248 të Kodit Penal.

Nga ana e saj, menjëherë pas arrestimit të këtij oficeri gjyqësor, drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit mori masën e pezullimit nga detyra të punonjësit të saj.

Strukturat hetimore po vazhdojnë më tej për të identifikuar të gjithë personat e mundshëm të përfshirë në këtë çështje.

n.e/NOA

KOMENTE