English

Sport-Merkato/ Një Ekip Ukrainas Interes Për Hamdi Salihin

TIRANË, 28 Maj /ATSH- Gjergji Mima/ - Sulmuesi i përfaqësueses shqiptare, Hamdi Salihi, kërkohet nga një skuadër e kampionatit ukrainas. Burime pranë futbollistit të Rapidit të Vjenës në kampionatin austriak konfirmojnë se bëhet fjalë për një nga ekipet kryesore ukrainase, megjithëse nuk përmendet emri i skuadrës. Një menaxher nga Ukraina ka qenë i pranishëm edhe në stadiumin e Podgoricës për të ndjekur ndeshjen miqësore midis Malit të Zi dhe Shqipërisë. Në këtë ndeshje Salihi nuk ka qenë shumë aktiv pasi është vendosur disi jashtë pozicionit të tij të zakonshëm, por ka arritur të shënojë një gol spektakolar në pjesën e dytë, që i dha edhe fitoren Shqipërisë. Interesi për shkodranin ka lindur që më parë, pas sezonit të mirë që ka bërë me Rapidin e Vjenës këtë vit, por do të jetë e vështirë që kjo skuadër të lërë të lirë Salihin, sidomos pas asaj mbylljeje që i bëri sezonit me tre gola në ndeshjen e fundit. Nga ukrainasit nuk ka ende ofertë konkrete, por nëse nga Rapid vihet një çmim i arsyeshëm, nuk do të ishte çudi të shihnim Salihin në Ukrainë me një nga skuadrat kryesore, gjë që do të ishte një shkallë më lart për karrierën e sulmuesit shqiptar./s.s./
KOMENTE