English

Zheji: Suksesi Me I Madh I Nje Shoqerie Eshte Kur Vendos Ne Qender Diskutimin E Lirise Se Medias

-Drejtori i Agjencisë Telegrafike Shqiptare, Artur Zheji referon në Forumin "Shqipëria drejt BE, hapja e kufijve për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave" - TIRANË, 28 Maj/ATSH-Maela Marini/.- Drejtori i Agjencisë Telegrafike Shqiptare, Artur Zheji tha të premten, se një nga masat që mund t'a reformojë dhe europianizojë më tej median shqiptare, është monitorimi i vazhdueshëm i difekteve dhe lirive të munguara që ajo ka. "Suksesi më i madh që mund të ketë një shoqëri është kur vendos në qendër diskutimin e lirisë së medias, pasi ky debat është oksigjeni, që çon median një hap më përpara", tha Zheji në Forumin "Shqipëria drejt BE, hapja e kufijve për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave". Sipas tij "media shqiptare sot përballet me probleme për sa i përket raportit gazetarë-pronarë, që sjell mungesën e përcjelljes së një informacioni profesional dhe me një partitokratizim të mediave". "Ne e dimë se si duhet përkthyer një lajm, pra nuk e marrim dot të drejtpërdrejtë informacionin por duhet ta përkthejmë. Nëse janë gazeta, apo lobe televizive që i përkasin një simpatie apo grupi interesash politike të maxhorancës, kuptojmë nga lajmi vetëm suksese dhe shkëlqime, ndërsa në rast se kapim lobin mediatik të kontrolluar nga opozita, shohim vetëm skëterrë", tha Zheji, duke shtuar se "e vërteta nuk qëndron as në njërin krah dhe as në tjetrin". Sipas tij, "përgjithësisht projektohet një realitet i deformuar në mënyrë subjektive". Në këtë drejtim, ai tha se "ATSH mundohet të jetë sa më objektive, me gjithë vërejtjet që mund të ketë". Duke u ndalur te situata e medias në Shqipëri, Zheji tha se "ka një mënyrë jo gjithmonë shumë profesionale në transmetimin e informacionit në Shqipëri". Sipas tij, "gazetarët profesionalisht përgjithësisht janë të mirë, problemi kryesor është mungesa e një kontrate protektive ndaj gazetarëve dhe tek raporti i gazetarëve me pronarët. Nuk është gazetari i keq, por shpeshherë është i udhëzuar sipas interesave të caktuara, që e bëjnë atë të fshehë informacionin dhe t'a deformojë atë". Ndërsa theksoi se ka një tolerancë të madhe ndaj mosdënueshmërisë së gazetarëve, apo mediave që desinformojnë, Zheji tha se në një sistem europian që funksionon, ata që 'mëkatojnë' politikisht në sensin korruptiv e kanë vendin në gjykatë dhe po ashtu, edhe pala mediatike që 'mëkaton' duke hedhur baltë ndaj politikanit. Pa u vendosur këto raporte përgjegjshmërie nga të dyja palët, Zheji shprehu bindjen se "nuk do të ketë standard europian në mediat në Shqipëri". Shqipëria është pjesë e pandashme e Europës historike, tha Zheji duke shprehur bindjen se "shqiptarët shumë shpejt do të kenë mundësi reale të ndjehen qytetarë të Europës, të cilës i përkasin historikisht". Forumi i organizuar sot në mjediset e Hotel "Tirana International" ku referuan për çështjet e lëvizjes së lirë edhe Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha dhe Ambasadorja e Francës në Tiranë, Maryse Daviet, zhvillohet pas një serie aktivitetesh, që synojnë inkurajimin e gazetarëve shqiptarë në procesin e raportimit për zgjerimin e BE-së dhe për sfidat që paraqet procesi i integrimit për Shqipërinë dhe shqiptarët./n.m/
KOMENTE