English

Civici: Ndryshimet E Shpejta Ne Tregun Valutor Kërkojnë Monitorim Të Treguesve Ekonomike

TIRANE, 29 Maj /ATSH-E.Xhajanka/.- Ndryshimet e shpejta në tregun e këmbimit valutor të lekut ndaj dy monedhave kryesore, euro dhe dollar, janë sinjale për një kujdes më madh në monitorimin e treguesve ekonomikë. Eksperti i ekonomisë, njëherazi dhe rektor në Universitetin jopublik UET, Ardian Civici, në një prononcim sot për ATSH-në lidhur me këtë argument, tha se, "rënia e euros shkakton probleme në ekonominë shqiptare, për vetë dimensionet e përdorimit të kësaj monedhe". Sipas tij, "shumë llogari për investime që bën biznesi, shumë sinjale që ne marrim nga kjo monedhë për të marre vendimet tona ekonomike dhe financiare, kanë një dozë pikëpyetje nga prapa per vete faktin e rezervave që kanë qytetarët apo bizneset per nënvlerësimin e euros. Por, nga ana tjetër, vlerëson Civici, rënia e euros ka edhe efekte pozitive, të cilat nuk mund të mos merren në konsideratë". "Ne, thotë Civici, ose mund të blejmë me të njëjtën sasi euro më shumë, ose do blejmë më lirë. Efekti i dytë pozitiv, çdo forcim i lekut në raport me euron, natyrisht i bën më të lira pagesat e kredive". Zhvlerësimi i euros, i shoqëruar nga një shtrenjtim i shpejtë i dollarit në raport me lekun, nuk janë një rrezik vetëm për ekonominë në përgjithësi, por dhe për individët. Në këto kushte, sugjeron Civici, është mirë që të pritet derisa tregu të stabilizohet për të ndërmarrë veprime këmbimi ose change-i. Referuar të dhënave të fundit nga tregu i lirë valutor në kryeqytet, leku është zhvlerësuar sërish këtë javë ndaj valutave të forta dhe veçanërisht të dollarit. Monedha amerikane ka shënuar një tjetër rritje të ndjeshme duke iu afruar kuotës së 112 lekëve. Luhatjet në kursin e këmbimit janë ndikuar nga ecuria e bursave ndërkombëtare. Në këto të fundit, euro është dobësuar kundrejt monedhës amerikane duke u këmbyer me 1 dollare e 22 cent. Në tregun tonë të këmbimit, dollari është forcuar ndjeshëm, ndërsa rënia e euros ka qenë e lehtë. Përballë dy valutave të forta, leku shqiptar paraqitet i zhvlerësuar. Kështu, në agjencitë valutore dollari blihet me 111.2 lekë dhe shitet me 111.8 lekë, ndërsa euro këmbehet me 136.5 lekë në blerje dhe me 137 lekë në shitje. Forcimi i dollarit nuk ka efekte të dukshme në ekonominë tonë, e cila është e orjentuar drejt euros. Gjithsesi edhe në nivelet aktuale monedha e përbashkët europiane konsiderohet e fuqizuar kundrejt lekut. Ky është një lajm jo i mirë për klientët e bankave që kanë marrë kredi në valutë dhe të ardhurat i kanë në lekë, pasi do të paguajnë më shumë për këstet mujore ku normave të interesit u shtohet edhe kostoja e transaksionit. /a.ke/
KOMENTE