English

Interviste- Regjistrimi I Popullsisë- Mbledhja E Të Dhënave Me Skanera Optikë

Ë TIRANË, 29 Maj/ ATSH/.- Për regjistrimin e përgjithshëm të popullsisë dhe banesave për vitin 2011, ndryshe nga regjistrimi i fundit i kryer nëntë vjet më pare, mbledhja e të dhënave e pyetësorëve, do të kryhet nga skanera optikë me teknologji të avancuar, që përdoren gjerësisht në vendet e zhvilluara. Në një intervistë për ATSH-në, Drejtoresha e Përgjithshme e Institutit te Statistikave (INSTAT), Ines Nurja, tha se "mbledhja e të dhënave nga regjistrimi i përgjithshëm i popullsisë dhe banesave është një faze kritike, e cila është e kushtueshme në terma kohorë dhe kostoje". Sipas saj, për të shkurtuar kohën e mbledhjes së të dhënave, INSTAT-i po përdor një teknologji të avancuar për kapjen e të dhënave. Pranë zyrave të INSTAT-it është zbatuar sistemi i skanerave optikë, të cilët arrijnë të lexojnë rreth 60 mijë pyetësorë në ditë, detajoi Nurja, sipas të cilës, ky sistem përbëhet nga dy skanera optikë, të cilët lexojnë dhe interpretojnë të dhënat sipas teknologjisë OCR (Optical Character Recognition). Ajo vlerësoi se kjo është një teknologji, e cila zbatohet në shumë vende të zhvilluara të Europës dhe siguron një ruajtje dixhitale të pyetësorëve të plotësuar. Përdorimi i skanerave optikë bën të mundur që të dhënat të mblidhen më shpejt dhe të rritet ndjeshëm cilësia e tyre. Nëpërmjet këtij sistemi arrihet të sigurohet një bazë të dhënash me e sigurtë dhe lehtësisht e menaxhueshme. Nurja theksoi se Sektori i Hartografisë në INSTAT gjatë muajve të fundit ka vijuar aktivitetin për plotësimin e bazës materiale të nevojshme gjatë punës në terren, midis të cilave, përgatitjen e hartave të printuara, formularët e ndërtesave, kancelaritë etj. INSTAT ka përfunduar edhe dixhitalizimin e të gjitha hartave të caktuara për zonat pilot, përfshirë zonat urbane në Tiranë, Vlorë, Durrës, Peshkopi dhe ato rurale në Tiranë, Durrës, Peshkopi, Pukë, Korçë, Gjirokastër, Peqin dhe Kukës. Ngritja e infrastrukturës së sallës së re të dixhitalizimit në ambientet e INSTAT-it është aktualisht një nga prioritetet e Sektorit të Hartografisë, veçon Nurja, duke shtuar se INSTAT ka përzgjedhur logon dhe moton kryesore për regjistrimin e popullsisë dhe banesave ne 2011. Motoja "E drejta juaj, detyrim qytetar" do t`i paraprijë kudo këtij regjistrimi. Draftimi i pyetësorëve, tha Nurja, është bërë nga sektori përkatës i INSTAT- it në bazë të rekomandimeve të EUROSTAT-it dhe UN-it. Pyetësori është konsultuar dhe rishikuar nga ekspertë ndërkombëtare në fushën e demografisë dhe është testuar nga INSTAT në rreth 100 familje. Ndërkohë që ka nisur të pilotohet pyetësori i hartuar. Regjistrimi i popullsisë dhe banesave, tha Nurja, përbën një proces madhor dhe kërkon një angazhim të shumë burimeve financiare, njerëzore dhe logjistike. Bashkëfinancuesit kryesorë të procesit të regjistrimit janë Komisioni Europian, qeveria shqiptare, UNFPA, SIDA, UNDP etj. "Regjistrimi i përgjithshëm i popullsisë dhe banesave për vitin 2011 është investimi më i madh që një vend kryen. Buxheti total është parashikuar në vlerën rreth 15 milionë euro, prej të cilës, Qeveria mbulon rreth 5 milionë euro, IPA 8 milion, UNFPA 1 milion euro, financime të tjera të PNUD-it, Statistikat Suedeze, etj", theksoi Nurja. Ky regjistrim është i dyti në periudhën post-komuniste dhe të dhënat do të shërbejnë për të patur një fotografi më të qartë të realitetit shqiptar në të gjithë territorin e vendit. Të dhënat që do të sigurohen nga ky regjistrim janë të ruajtura në bazë të ligjit për statistikat dhe janë konfidenciale, pra asnjë e dhënë individuale nuk do të përdoret apo bëhet publike. Treguesit e agreguar do të shërbejnë për të prodhuar statistika të ndryshme demografike, sociale dhe ekonomike. Ato do të jenë baza më e rëndësishme e të dhënave mbi të cilat do të zhvillohen politikat për zhvillimin e vendit për të paktën 10 vitet e ardhshme./e.gj//a.ke/
KOMENTE
  • Perparim Dida00:14 - 14 Tetor 2010
    Regjistrimi i popullsise,saktesimi i adresave te vend banimit,si dhe i kushteve sociale do te jene baze e rendesishme e te dhenave mbi te cilen do te zhvillohen politikat per zhvillimin e vendit ne te ardhmen..Per kete duhet nje pune sistematike e vazhdueshme per te patur nje pasqyre te qarte te realitetit shqiptar.Vleresoj kembenguljen e drejtoreshes Ines Nurja me gjithe pengesat e shumta qe has ne detyren e saj.