English

Votim mbi baza gjeografike në Eurovision, Juliana Pasha renditet e 16-ta

GJERMANIA FITON EUROVISION 2010

Oslo, 30 Maj 2010 NOA – Këngëtarja Juliana Pasha e cila u prezantua me këngën “Nuk mundem pa ty” në versionin anglisht në festivalin Evropian të Këngës 2010, është renditur në vendin e 16-të. Juliana Pasha mori në total 62 pikë.

Para pak çastesh u shpallën çmimet e fituesve të Eurovision 2010 që zhvillohet në kryeqytetin e Norvegjisë Oslo. Fitues i evenimentit u shpall Gjermania. Këngëtarja fituese e konsideroi si të pabesueshëm faktin se kishte fituar çmimin e madh.

Votimi si edhe vitet e tjera ishte politiko-gjeografik. Vendet ish-sovjetike votuan masivisht për këngët e prezantuara nga këto ish-republika, vendet skandinave i dhanë votën njëra-tjetrës, shtetet ish-jugosllave dhe shumë vende votonin për fqinjët e tyre.

Edhe Shqipëria nuk i ka shpëtuar votimit gjeografik. Juria shqiptare i dha pikët maksimale, 12, Greqisë, tetë pikë ia dha Turqisë si dhe dhjetë pikë Gjermanisë.

Si “shpërblim”, fqinjët na kthyen reston sepse Turqia na dha 7 pikë dhe Greqia “dhuroi” dhjetë pikë.

Juliana Pasha ishte konsideruar ditët e fundit si këngëtare favorite për të fituar çmimin e parë të këtij festivali madje doli më e votuara e këngëtarëve të këtij evenimenti në internet.

r.n/NOA

KOMENTE