English

Zgjidhja E Krizës Në Shqipëri Mund Të Vijë Vetëm Përmes Vullnetit Politik Mes Palëve

- Mblidhet në Tiranë Komiteti për Europën Juglindore i Internacionales Socialiste - TIRANË, 29 Maj/ATSH-Anila Struga/.- Zgjidhja e krizës politike në Shqipëri mund të vijë vetëm përmes vullnetit politik të të gjitha palëve, pa të cilin vendi nuk mund të arrijë të ketë sukses në synimin e madh kombëtar, integrimin europian të vendit. Sot në Hotel Sheraton u mblodh takimi i Komitetit për Europën Juglindore i Internacionales Socialiste me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të partive të majta të rajonit, anëtarë të këtij organizmi. Në fjalën hapëse në takim, bashkëpresidenti i Komitetit për Europën Juglindore, Edi Rama, njëkohësisht kryetar i PS-së, tha se "vendi ynë përballet sot me një krizë që i ka rrënjët në zgjedhjet e shkuara". "Ne ndjehemi të shqetësuar për mungesën e informacionit lidhur me gjendjen reale të ekonomisë sonë që ka dhënë shenja rënie, ndërsa shqiptarëve u thuhet e kundërta", tha Rama. Sipas tij, "po fshihet e vërteta e zgjedhjeve duke penguar transparencën e tyre përmes një hetimi parlamentar, jo për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve që ikën, por për të mos lejuar që korrupsioni të vendosë fatin e zgjedhjeve që vijnë. Për ne zgjatja e zgjidhjes së krizës dëshmon se zgjedhjet e shkuara janë vjedhur për të riclikuar pushtetin e sotëm, por dhe kanë nxjerrë në pah domosdoshmërinë e një zgjidhje që të garantojë transparencën e procesit zgjedhor". Rama shprehu bindjen se takimi i sotëm i Komitetit të Internacionales Socialiste do të çojë para punën në ndërtimin e urave të komunikimit dhe bashkëpunimit aq të domosdoshme për një rajon ku është provuar katërcipërisht se mungesa bashkëpunimit mes të ndryshmëve sjell, pasiguri dhe prapambetje për secilin. Në fjalën e tij përfaqësuesi i së majtës bullgare, Sergei Stanishev, bashkëpresident i Komitetit, duke u ndalur tek situata politike në Shqipëri, përshëndeti qëndrimet e përgjegjshme të ndërmarra nga PS. "Përballja e Shqipërisë me sfidën e rëndësishme të anëtarësimit në BE nuk mund të bëhet pa pasur një mirëkuptim dhe vullnet të të gjitha palëve. Pa unifikimim e qëndrimeve dhe pa zgjidhjen konstruktive të krizës aktuale politike vendi nuk mund të ecë me sukses drejt anëtarësimit në BE", tha Stanishev, ish-kryeministër i Bullgarisë. Sekretari i Përgjithshëm i Internacionales Socialiste, Luis Ajala, në fjalën e tij nënvizoi nevojën e institucioneve të forta e të besueshme, që janë thelbi i çdo sistemi demokratik. Lidhur me situatën politike në Shqipëri, ai shprehu besim se "vendi do arrijë të gjejë rrugëdalje, mbi bazën e një kompromisi politik mes palëve." /a.ke/
KOMENTE