English

Kosovë - Hyseni Në Nicë Kërkon Nga Shtetet Afrikane E Të Tjera Njohjen E Pavarësisë

PRISHTINË, 30 Maj /ATSH-B.Jashari/- Ministri kosovar i Punëve i Jashtme, Skënder Hyseni, në ditën e dytë të qëndrimit të tij në Nicë, në kuadër të punimeve të konferencës së frankofonisë, ka zhvilluar një seri takimesh me ministra të Punëve të Jashtme të shteteve afrikane e përfaqësues të shteteve tjera në këtë konferencë, ku ka përsëritur kërkesën për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Ministria e Jashtme kosovare bëri të ditur sot se Hyseni ka zhvilluar takime me ministrat e Punëve të Jashtme të Eritresë, Egjiptit, Ganës, të Guinesë Ekuatoriale, me përfaqësues të Bregut të Fildishtë, Mozambikut, etj, gjatë të cilave ka ripërsëritur kërkesën për njohjen e Kosovës dhe ka folur për rëndësinë që ka kjo njohje për konsolidimin e mëtejshëm ndërkombëtar të shtetit të ri dhe për paqen e stabilitetin në rajonin e Ballkanit. Në këto takime, ministri Hyseni është njoftuar se kërkesa për njohje është duke u shqyrtuar seriozisht, ndërsa disa nga ministrat e kanë siguruar atë se shtetet e tyre do të japin një përgjigje të shpejtë pozitive. Gjatë qëndrimit në Nicë, Ministri Hyseni ka takuar edhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës Franceze, Bernard Kushner. Në këto takime, Ministri është shoqëruar nga Ambasadori i Republikës së Kosovës në Francë, Muhamedin Kullashi./k.sh/
KOMENTE