English

Durrës, Mbi 10 Mijë Pushues Sfidojnë Motin Me Vranësira Në Plazhin Më Të Madh Të Vendit

DURRËS, 31 Maj /ATSH-Gëzim Kabashi/. - Mbi 10 mijë pushues nga vendi dhe të ardhur nga Kosova kanë frekuentuar të dielën deri vonë plazhin e Durrësit, duke sfiduar motin e paqëndrueshëm, me vranësira dhe rrezik të reshjeve lokale. Megjithë temperaturat ende të ftohta të ujit dhjetra pushues kanë bërë banjot e para në ujë. Më shumë se 25 autobuzë dhe qindra automjete me pushues ditorë kanë mbërritur në fundjavë nga Kosova, duke shfrytëzuar kohën e shkurtër të udhëtimit në rrugën Morin-Kukës-Durrës. Po dje në Durrës është shënuar një "dyndje" turistësh të huaj, që kanë mbërritur me grupe të organizuara nga vendet skandinave si dhe vende të tjera të Evropës. Tashmë pastrimi dhe dezinfektimi i hapësirës së rërës në plazhin më të madh të vendit ka përfunduar dhe në të njejtën fazë ndodhen edhe hotelet dhe motelet e shumtë, të cilët së bashku me dhomat e vëna në dispozicion nga familjet e zonës së plazhit, pritet që nga fillimi i muajit qershor deri në fund të këtij sezoni veror të mirëpresin afro 600 mijë pushues./s.s./
KOMENTE