English

Ekonomi - Analizë - Wall Street Mbyllet Me Rënie Të Dukshme Përpara Një Fundjave Të Zgjatur

NJU JORK, 31 maj /ATSH-AFP/ - Bursa e Nju Jorkut përfundoi me një rënie të dukshme të premten, përpara një fundjave të zgjatur, e ndëshkuar veçanërisht nga ulja me një shkallë e vlerësimit për Spanjën nga agjencia e vlerësimit Fitch: Dow Jones humbi 1,19 për qind dhe Nasdaq 0,91 për qind. Sipas shifrave përfundimtare të mbylljes, Dow Jones Industrial Average ra me 122,36 pikë duke arritur në 10 136,63 pikë dhe Nasdaq, me drejtim kryesor teknologjinë, me 20,64 pikë duke arritur në 2 257,04 pikë. Treguesi i zgjeruar Standard & Poor''s 500 ra gjithashtu me 1,24 për qind (13,65 pikë) duke arritur në 1 089,41 pikë. Treguesi model i Wall Street është rritur të enjten me 2,85 për qind. Për muajin, ai pësoi një rënie prej 7,9 për qind, që ishte kuota më e ulët mujore që prej shkurtit të vitit 2009. "Tregu mori një goditje kur Fitch e uli me një notë vlerësimin për Spanjën", theksoi Mace Blicksilver, i Marblehead Asset Management. "Por, ishte një ditë shumë e qetë, përpara një dite pa punë. Kjo javë do të jetë shumë e rëndësishme, me fillimin e një muaji të ri dhe shifrat mujore të punësimit në Shtetet e Bashkuara që do të jepen ditën e premte", shtoi ai. Fitch e uli me një shkallë vlerësimin për borxhin e Spanjës, në "AA+", kundrejt "AAA" që ishte deri tani që përbënte edhe vlerësimi më të mirë të mundshëm. Agjencia paralajmëroi se procesi i rregullimit drejt një niveli më të ulët të borxhit privat dhe të jashtëm do të zvogëlojë ndjeshëm përqindjen e rritjes së ekonomisë spanjolle brenda një afati të mesëm". Në fillim të seancës, tregu u ndesh me tregues jo aq pozitivë sa pritej në Shtetet e Bashkuara. Shpenzimet e konsumit të çifteve mbetën në të njëjtin nivel në prill, pas gjashtë muaj me radhë rritjeje. Analistët shpresonin për një rritje tjetër. "Amerikanët po kursejnë pak më tepër", komentoi Gregori Volokhine, i Meeschaert New York. "Kjo është një gjë e mirë në vetvete, por në këto momente, ajo që kërkohet nga amerikanët është të përkrahin me forcë ekonominë duke shpenzuar më tepër, pra, tregu nuk e vlerësoi këtë". Tjetër lajm i keq ishte se treguesi i blerjeve ISM për aktivitetin në rajonin e Çikagos ka rënë më tepër nga sa parashikohej për muajin maj, duke arritur në 63,8 pikë. Tregu i obligacioneve është rritur. Rendimenti i bonove të Thesarit brenda 10 vjetëve ka rënë në 3,301 për qind kundrejt 3,338 për qind të enjten në mbrëmje dhe ai i bonove për 30 vjet ka rënë në 4,214 për qind kundrejt 4,239 për qind që ishte më parë. /I.Pu.
KOMENTE