English

Flotilja Në Gaza: Rusia Dënon Një Shkelje Të Rëndë Të Së Drejtës Ndërkombëtare

MOSKË, 31 maj /ATSH-AFP/ - Rusia e cilësoi sot si "shkelje të rëndë" të së drejtës ndërkombëtare sulmin ndërkombëtar të Izraelit kundër një flotiljeje propalestineze që ishte nisur për në Gaza, në një komunikatë të Ministrisë së Jashtme. "Është e qartë se përdorimi i armëve kundër civilëve dhe ndalimi në mes të detit i anijeve pa asnjë motivacion të ligjshëm përbëjnë një shkelje të rëndë të normave të së drejtës ndërkombëtare", vazhdoi i njëjti burim. Ndërhyrja e përgjakshme izraelite kundër një flotiljeje propalestineze në ujërat ndërkombëtare në afërsi të Gazës shkaktoi sot 19 të vdekur dhe 36 të plagosur, njoftoi kanali 10 i televizionit izraelit, i cili më vonë e rishikoi këtë bilanc në 10 të vdekur. Rusia thekson gjithashtu se incidenti "konfirmon nevojën e dhënies fund sa më shpejt që të jetë e mundur të bllokadës në Gaza e vendosur nga Izraeli". Rusia bën pjesë bashkë me Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Evropian dhe OKB-në në Katërshen për Lindjen e Mesme që mbështesin një plan pune për bisedime paqeje, ku parashikohet krijimi i një shteti palestinez në paqe dhe i sigurt përkrah Izraelit. Moska mban lidhje të ngushta me Hamasin, lëvizja islamike fituese e zgjedhjeve legjislative palestineze të vitit 2006 që mori pushtetin me forcë në qershor të vitit 2007 në Rripin e Gazës, përballë Fatahut, lëvizja e presidentit të Autoritetit palestinez, Mahmud Abas. /I.Pu.
KOMENTE