Kushner : " E Ardhma E Ballkanit Është Në Bashkimin Europian"
					  -Shkruan Ministri i Jashtëm i Francës Bernard Kushner në një letër drejtuar artistit Zamir Mati-
      TIRANË,  31 Maj/ATSH/.- Piktori  Zamir Mati i cili prej 20 vitesh jeton ne Francë  ka marrë një letër nga Ministri Francez i Punëve të Jashtme Bernard Kushner pasi artisti i njohur e ka ftuar diplomatin e lartë në një ekspozitë të tijën personale  të çelur gjatë muajit maj në kryeqytetin e Kosovës , Prishtinë. 
     Kushner i cili drejtoi misionin e UMNIK-ut, për gjatë 18 muajve në Kosovën e pas luftës së vitit 1999, për krijimin e një administratë civile si dhe një sistemi politik dhe ndërtimin e një sistemi ekonomik, në letrën  e tij shpreh  kënaqësinë për ftesën që piktori i bën për çeljen e ekspozitës  "Kosova 2010"  në Prishtinë.
     "Ekspozita e cila tregon njëkohësisht  rrugëtimin tuaj në kontinetin tonë dhe lidhjet tuaja  me Ballkanin, është një shëmbull i mirë i lidhjeve që bashkojnë vëndin tone (Francën)  me këtë rajon e  ardhmja e të cilit, sic theksova në Prishtinë  marsin e fundit , është në  Bashkimin Europian" shkruan Kushner në letrën e tij drejtuar piktorit shqiptar me nacionalitet francez, Zamir Mati .
     Ministri jashtëm i Francës, i cili vizitoi Kosovën, siçc shkruan në letrën e tij në mars të vitit 2010, ka deklaruar më shumë se njëherë qëndrimin e tij pro shpalljes së pavarësisë së Kosovës ndërkohë që në vizitën e tij të fundit  ftoi Beogradin dhe  Prishtinën të nisin procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërfqinjësore.
     Kushner,  71 vjec, me profesion mjek, u zgjodh ne krye te diplomacisë franceze  pas zgjedhjeve të vitit 2007  kur në krye të shtetit francez u zgjodh  Nikola Sarkozi.
     Piktori Zamir Mati për gjatë 10 ditëve çeli në Prishtinë një ekspozitë personale me 41 punime nga më të spikaturat e tij . Ekspozita ngjalli interesin dhe kërshërinë jo vetëm të piktorëve prishtinas , kritikës, medias ku u pasqyrua gjerësisht por dhe të artëdashësve të Kosovës. 
     "Nuk kisha qenë asnjëherë më parë në Prishtinë, ndërsa ëndrra ka qënë e madhe", ishte shprehur piktori i njohur në një intervistë për ATSH-në .
     "Kosovën e preka për herë të parë, pavarësisht se punimet e mia kanë qënë atje qysh në vitet 70-të", ka vijuar Mati për të cilin , "mendimi nuk ka nacionalitet".
     Por gjatë qëndrimit të tij në Prishtinë nuk kanë munguar dhe balonat e Zamir Matit, ato që ai diti t'i krijojë në Shqipërinë e viteve '80-të por që e vazhdon këtë iniciativë të tij personale sa herë që vjen në Shqipëri . 
      Qiellin e Prishtinës kësaj here e ka vizatuar ndër të tjera edhe me ngjyrat e flamurit të Kosovës në një performancë artistike të ndjekur me kërshëri nga qytetarë  dhe përfaqësues të medias vendase e cila e ka përcjellë jo pa entuziazëm këtë veprimtari të Matit.
     Nga ana e tij  artisti i njohur është shprehur se "këtë ditë të bukur pranverore në Prishtinë, në Kosovën e lirë e të pavarur  e shijoj dhe prek për herë të parë duke ngritur edhe balonat".
/f.n/ 				
				
				

 
    