English

Berisha: Përmirësimi I Klimës Së Biznesit Dhe Konsolidimi I Shtetit Ligjor, Mënyra Më E Mirë Për Zhvillimin E Vendit

- Kryeministri Bersha referon në Konferencën e Dytë Shqipëri-Bankë Botërore për Zhvillimin e Ekonomisë - TIRANË, 1 Qershor/ATSH-Maela Marini/.- Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot, se "Qeveria do të bëjë çdo përpjekje për përmirësimin e klimës së biznesit, konsolidimin e shtetit ligjor dhe për një luftë me zero tolerancë ndaj korrupsionit, si mënyra më e mirë për zhvillimin e vendit". Duke referuar në Konferencën e Dytë Shqipëri-Bankë Botërore për Zhvillimin e Ekonomisë, te zhvilluar ne Tirane, Kryeministri Berisha vlerësoi këtë organizëm ndërkombëtar financiar si partnerin kryesor që shoqëroi vendin tonë me një mbështetje të ngushtë dhe të gjithanshme gjatë 20 viteve të fundit. Kreu i Qeverisë vlerësoi se "Banka Botërore dha një kontribut të madh në një transformim epokal të ekonomisë shqiptare, nga ekonomia më e centralizuar e Europës dhe planetit, totalisht e falimentuar, në një ekonomi tregu me ambicie të mëdha dhe reale". "Administrata dhe qeveria shqiptare, partnerët e saj janë të angazhuar në një tërësi reformash me të cilat synojnë rritjen e shpejtë dhe të qëndrueshme ekonomike të këtij vendi si promotor kryesor i zhvillimit të tij. Shqipëria është vendi i potencialeve të mëdha që i ofron çdo investitori në botë mundësitë më të mëdha me burimet e pashtershme natyrore dhe potenciale turistike të pashfrytëzuara", tha Kryeministri Berisha. Sipas tij "Shqipëria ka një forcë punëtore të admirueshme, të re dhe dinamike dhe ka të gjitha potencialet për tu vendosur në orbitën e vendeve të zhvilluara". Kryeministri theskoi se "reformat janë kusht vendimtar dhe 'perpetua mobile' në arritjen e këtij qëllimi". Qeveria shqiptare, sipas tij "ka ndërmarrë gjatë këtyre viteve reforma të thella dhe të gjithanshme, të cilat kanë sjellë përmirësime madhore në klimën e biznesit". "Vendi që 4 vite më parë regjistronte biznesin në 42 ditë, sot e regjistron atë në gjysëm ore. Ne kishim trashëguar një burokraci ekzemplare dhe sot kemi procedurat më të thjeshtuara në dogana dhe sistemin tatimor. Janë reduktuar lejet dhe licensat dhe Shqipëria është sot ndër vendet me barrën fiskale më të ulët në Europë", tha Kryeministri Berisha. Kryeministri theksoi se "Shqipëria do mund të vendoset në orbitën e vendeve të zhvilluara, vetëm si një vend i shtetit ligjor të konsoliduar dhe lufës me zero tolerancë ndaj krimit dhe korrupsionit". Ai garantoi se "qeveria është e vendosur të ndërmarrë reformat më të thella, në mënyrë që të rrisë transparencën në çdo proces, çdo vendim dhe çdo akt të saj dhe të sektorit publik". Në këtë drejtim, Kryeministri Berisha e cilësoi inkurajues faktin që Shqipëria zbaton sot prokurimet 100 për qind elektronike. Qeveria do të bëjë çdo përpjekje për të nxjerrë çdo procedurë jashtë korrupsionit, tha Kryeministri Berisha, ndërsa theksoi se "me ndihmën e Bankës Botërore është në përfundim sistemi i inspektoriateve i cili redukton numrin e tyre nga 36 në 11 inspektoriate". "Potencialet e mëdha të vendit ne mund ti shndërrojmë në një faktor madhor rajonal në fushën e energjisë. Ne mund të shndërrohemi në një faktor botëror në fushën e minierave dhe në një ekonomi të fuqishme eksportuese me rritje të madhe, vetëm duke konsoliduar shtetin ligjor, luftuar korrupsionin dhe përmirësuar gjithnjë e më shumë klimën e biznesit", tha Kryeministri Berisha. Shqipëria më shumë se çdo vend tjetër në Europë ka nevojë për investime direkte të huaja, tha më tej Kreu i Qeverisë, duke theksuar se "në vitin 1990, Shqipëria ishte vendi i investimeve të huaja të ndaluara me Kushtetutë". Sipas tij "anëtarësimi i vendit në NATO, shënoi një kthesë historike në besimin e investitorëve europianë dhe botërorë ndaj vendit tonë". "Pas ftesës, qeveria firmosi mbi 5 miliard euro koncensione dhe investime direkte", tha ai. Kryeministri informoi se Qeveria shqiptare po punon ngushtë me Bankën Botërore, në mënyrë që të vendosë në Shqipëri standardet më të mira, për një klimë biznesi sa më miqësore dhe të përshtatshme. Stabiliteti makroekonomik i vendit, sipas Kryeministrit Berisha "është një kusht tjetër themelor për një zhvillim të qëndrueshëm dhe të shpejtë". "Qeveria këtë vit ka vendosur të ecë drejt zvogëlimit të ndjeshëm të deficitit buxhetor duke reduktuar borxhin publik", tha Kryeministri Berisha, ndërsa theksoi se "ekonomia shqiptare i rezistoi tsunamit financiar botëror pasi funksionoi mbi parime të shëndosha financiare". "Ekonomia jonë rezistoi falë një përpjekje të jashtëzakonshme për të shndërruar Shqipërinë në një vend tërheqës për investimet e huaja", tha Kryeministri Berisha, ndërsa theksoi se "investitorët e huaj kanë shumë arsye për të shprehur besimin e tyre tek eurobondet e Shqipërisë". "Borxhi grek ka krijuar një konfuzion të madh në tregjet europiane, por ne nuk jemi tërhequr por kemi shtyrë procesin për të dalë në tregun e eurobondit", tha ai. Kryeministri theksoi gjithashtu se "Shqipëria do mund të kapë orbitën e vendeve të zhvilluara, vetëm si një vend me një arsim dhe sistem shëndetësor të zhvilluar dhe të konsoliduar". Në përfundim, Kryeministri Berisha renditi disa nga arritjet e ekonomisë shqiptare në muajt e parë të vitit 2010. "Në 4 muajt e parë të këtij viti ka një mbidyfishim të eksporteve Made in Albania, numërohen rreth 400 biznese të reja të regjistruara më shumë se në 2009, ndërsa sistemi bankar është ndër më likuidët në Europë dhe botë dhe ka një rritje prej 13 për qind të depozitave", tha Kryeministri Berisha. /a.gj/
KOMENTE