English

Berisha: Vdekshmërinë Foshnjore Ta Sjellim Në Shifrat Europiane

RINË FOSHNJORE TA SJELLIM NË SHIFRAT EUROPIANE TIRANË, 1 Qershor/ATSH-Erla Gjikolli/.- Kryeministri Sali Berisha e konsideroi sot 1 Qershorin, Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, një ditë bilanci, gjatë punimeve të konferencës "Fëmijët shqiptarë drejt Europës", organizuar nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, mbajtur në Hotel "Tirana International". Në përshëndetjen e tij, Kryeministri Berisha tha se fëmijët e problemet e tyre janë çështje delikate për çdo shoqëri, pasi janë kontigjenti më vunerabël, që ka nevojë për mbrojtje. "Ne vijmë në këtë ditë me disa arritje, duke zbatuar një strategji kombëtare të mirëstudjuar dhe të realizuar me një sërë masash të rëndësishme për mbrojtjen, shkollimin dhe kujdesin shëndetësor të tyre, si dhe kemi vendosur një seri programesh pune për problematikat e fëmijëve", u shpreh Kreu i Qeverisë. Duke shprehur vlerësimin e tij për arritjet në këtë fushë Kryeministri Berisha theksoi se kemi ende shumë punë për të bërë. "Kemi ende shifra të larta të vdekshmërise foshnjore, në një kohë kur kjo shoqëri ka përcaktuar rregulla nga më të mirat ose masa nga më të mirat për mbrojtjen e grave shtatzana e përkujdesin ndaj tyre. Duhet më shumë punë nga ministria e Shëndetësisë dhe dikasteret e tjera, për arritjen e shifrave europiane të vdekshmërisë foshnjore", u shpreh Kryeministri Berisha. Sipas tij, ne kemi shifrat më të mira për popullsinë, të moshuarit etj, por kemi shifra te papranueshme në lidhje me mbrojtjen e jetës së të porsalindurve. "Sistemi për mbulimin vaksinor është nga më të mirët. Ky sistem mbulon rreth 97% të fëmijëve, por duhet të ndërhyjmë për mortalitetin infantil", nënvizoi Kreu i Qeverisë. Kryeministri Berisha u ndal në konferencën e sotme edhe në çështjen e eliminimit të punës së fëmijëve, e cila, sipas tij, është një kapitull që duhet të mbyllet sa më shpejt. Kryeministri Berisha vlerësoi punën e ministrisë së Arsimit, e cila po punon për zero tolerancë kundër analfabetizmit. "Kemi rritur buxhetin për arsimin dhe do të vijojmë me rritjen e tij. Synimi i qeverisë është që të arrijmë shumë shpejtë shtrirjen në çdo qytet e fshat të sistemit parashkollor", tha Kryeministri. Duke e konsideruar trafikimin e fëmijëve si një krim kundër njerëzimit Kreu i Ekzekutivit deklaroi se do të merren masat më të rrepta në këtë drejtim. Heqja e vizave, tha ai, shton detyrimet ndaj kujdesit për fëmijët dhe përcakton masat mbrojtëse ndaj tyre./a.s/s.s./
KOMENTE