English

Fier: Ministri Prifti Kontribon Për Krijimin E Një Qëndre Shërbimesh Humanitare

FIER, 1 qeshor /ATSH, Rr.Isufaj/ - Organizata "Dyert e së Ardhmes" (DEA) ka ngritur një qendër shërbimi për personat me aftësi të kufizuar, që synon zhvillimin, edukimin, arsimimin, autonominë e personave me aftësi të kufizuar, duke përfshirë fillimisht grupmoshat 3-12-vjeç. Qendra ka kujdesin dhe kontributin e drejpërdrejtë të ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti. Në ceremoninë e përurimit të saj, ministri Prifti u bëri sot thirrje qytetarëve dhe biznesit për më shumë humanizëm dhe solidaritet, duke kontribuar financiarisht për shtresat në nevojë. I pranishëm, ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, tregoi se si një muaj më parë, Matilda Dushku, presidente e DEA së bashku me administratoren e një kopshti fëmijësh privat, e takuan dhe i folën për fëmijët me probleme të theksuara shëndetësore në rrethin e Fierit. "Shifrat ishin shumë të larta, ndaj vendosa të jap kontributin tim për të lehtësuar dhimbjen e fëmijëve dhe rehabilitimin e tyre në jetën shoqërore," tha ministri Prifti. Sipas tij, hapja e një qendre të tillë nuk është e thjeshtë, është një përgjegjësi e madhe, pasi në dispozicion të edukimit dhe rehabilitimit të këtyre fëmijëve duhej një staf i specializuar. "Më vjen mirë që brenda një kohe të shkurtër ne i kapërcyem vështirësitë dhe realizuam këtë projekt human, i cili nuk financohet nga qeveria, por nga donatorë të ndryshëm privatë," tha ministri Prifti, duke bërë thirrje për më shumë humanizëm, solidarizim me njëri-tjetrin dhe në ndihmë të njëri- tjetrit. . Qëndra e Shërbimit për Personat me Aftësi të Kufizuar do ta shtrijë veprimtarinë fillimisht vetëm për fëmijët e rrethit Fier. "Si fazë e parë, projekti prosupozon shtrirjen e veprimtarisë në harkun kohor të një viti, me synim vazhdimësinë," tha presidentja e saj, Matilda Dushku. Sipas saj, projekti është ndërtuar në bazë të Strategjisë Kombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuar, e cila është një platformë afatgjatë masash që synojnë përmisimin e jetës së tyre. Sipas statistikave të paraqitura nga DEA, nga 260.000 banorë, numër i përgjithshëm i popullsisë në rrethin e Fierit, 3858 janë me aftësi të kufizuar dhe 900 prej tyre janë vetëm në qytetin e Fierit./ch/
KOMENTE