English

Lagjia “Mangalem” e Beratit, rrezik shembje nga rënia e shkëmbinjve

Berat, 1 Qershor, NOA – Lagjia “Mangalem” e Beratit, ajo me të cilën krenohemi të gjithë për vlerat e saj arkitektonike, kulturore apo historike, paraqet një rrezik të vërtetë si pasojë e rënies së shkëmbinjve.

Një fakt të tillë e ka bërë me dije vetë drejtori i Emergjencave Civile, Alfred Olli, gjatë një vizite në qytetin muzeal, ku ka inspektuar nga afër lagjen e lartpërmendur.

Së bashku me një grup pune, ai ka mbërritur aty pas shqetësimeve të shumta që ngritën pushtetarët lokalë pas rënies së një masive shkëmbi nga lagjia “ Mangalem” një vit më parë.

E si pasojë e kësaj, rreziku që i kanoset kësaj lagjeje me vlera historike për vendin tonë, është evident.

I shoqëruar edhe nga përfaqësues të ministrisë së Ekonomisë, asaj të Kulturës dhe të Mjedisit si edhe forcave të xhenios, ai inspektoi nga afër zonat më të rrezikshme të këtij qyteti siç është lagja “Mangalem” apo ajo “Kala”.

Drejtori i Emergjencave Civile mbërrit fillimisht pranë institucionit të Prefektit të Qarkut ku është zhvilluar një takim njohës me situatën e emergjencave në këtë qytet.

Prefekti i Beratit, Bujar Hoxha tha në nisje të këtij takimi se ky qytet, si pjesë e trashëgimisë kulturore rrezikohet nga shpati shkëmbor i lagjes “Manglem”, që është konsideruar dhe si një rrezik evident dhe për banorët e kësaj lagjeje.

Kreu i prefekturës deklaroi se për mos vënë në rrezik jetët e njerëzve, por dhe vlerat muzeale të këtij qyteti puna duhet të nisë menjëherë.

Ndërkohë, që vetë Olli u shpreh në fjalën e tij se tashmë pas takimit të zhvilluar në Tiranë me disa ministri të linjës u vendos që të inspektohet situata në vend dhe të ndërhyhet menjëherë në lagjen “ Mangalem”.

Tashmë pritet që qeveria të lëvrojë fondin përkatës për nisjen e punës në zonën e rrezikshme mbi kodrën e lagjes “ Mangalem”.

Nga ana e tij kryetari i bashkisë së Beratit, Fadil Nasufi u shpreh në këtë takim se institucioni që ai drejton vë në dispozicion të grupit të punës shtatë inxhinierët e këtij institucioni, ndërsa deklaroi gjithashtu se Berati është i rrezikuar gjithashtu dhe nga rënia e zjarreve. Kreu i bashkisë u shpreh se projekti i bashkisë për vendosjen e sistemit të hidranteve në lagjet muzeale është gati dhe pritet vetëm lëvrimi i fondeve përkatëse nga ana e qeverisë.

n.e/NOA

KOMENTE