English

Shkodër, Ndërron Jetë Në Spital Edhe Vëllai Tjetër I Familjes Çela

SHKODËR, 31 Maj/ATSH-G. Marku/- Ka ndërruar jetë edhe personi i dytë i përfshirë në konfliktin për pronësinë, 76 vjeçari Hysen Çela, i cili është vëllai i viktimës Isa Çela, që humbi jetën pak kohë përpara tij. Sipas zëdhënëses së Drejtorisë së Policisë të Qarkut të Shkodrës, Ftabardhe Çelepia, ngjarja në fjalë ndodhi në mbrëmjen e ditës së hënë në fshatin Domen, të komunës së Postribës, në rrethin e Shkodrës, ku në konflikt u përfshinë dy vëllezërit e moshuar të familjes Çela. Pas debatit me njëri tjetrin në lidhje me një sipërfaqe toke, konflikti ka degjeneruar në përleshje, ku 76 vjeçari Hysen Çela e ka goditur me mjete të forta vëllain e tij, 79 vjeçarin Isa Çela, i cili me pistoletën që kishte me vete qëlloi në drejtim të vëllait të tij, duke e plagosur atë. Burimet pranë policisë thanë se fillimisht ndërroi jetë 79 vjeçari Isa Çela, ndërkohë që edhe pse shpresohej të shpëtohej jeta e vëllait tjetër, 76 vjeçarit Hysen Çela, i cili iu nënshtrua një operacioni të shpejtë në Spitalin Rajonal të Shkodrës, pasi ka lënë sallën e operacionit ka ndërruar jetë edhe ai./s.s./
KOMENTE