English

Topi fëmijëve: Po jetoni çaste madhore të Shqipërisë

Tiranë, 1 Qershor, NOA – “Ju jetoni në një Shqipëri më të bukur, jetoni çaste, dhe këtë do e kuptoni ndoshta më vonë, kur ju të rriteni edhe më shumë, që Shqipëria, të gjithë shqiptarët, edhe fëmijët, do të jenë si të gjithë qytetarët evropianë”.

Me këto fjalë përshëndetëse presidenti Topi iu drejtua fëmijëve sot në shoqërinë e Zonjës së Parë, duke ndjekur një program të shkurtër me vjersha dhe këngë të përgatitura nga vetë fëmijët për këtë ditë.

Gjatë ceremonisë së pritjes në mjediset e Presidencës të fëmijëve të dalluar të shkollave 9-vjeçare të kryeqytetit me rastin e Festës së Fëmijëve, ai u tha atyre se “festa që ju gëzoni sot është shumë herë më e bukur se ajo që ne festonim dikur, sepse ju jetoni më mirë”.

“E kam thënë dhe herë tjetër që kur të rriteni dhe të jeni qytetarë të denjë të Shqipërisë dhe të Evropës, ju duhet që të mos i ndaheni librit asnjëherë! Ju jeni në kontakt me librin në çdo ditë të shkollës. Libri ju shoqëron në çdo moment të ditës, por edhe kur të shkoni me pushime ju nuk duhet ta ndani librin”, u la porosi kreu i shteti fëmijëve.

Duke u thënë në fund se “në ditën e 1 Qershorit, një nderim i madh u shkon mësuesve”, të cilët i edukojnë fëmijët për të ardhmen.

n.e/NOA

KOMENTE