English

Berisha, nga Kavaja: Brenda 2010-ës do të asfaltohen të gjitha rrugët që të çojnë në det

Kavajë, 2 Qershor, NOA –Me lajtmotivin që brenda 2010-ws do të përfundojnw së asfaltuari të gjitha rrugët që zbresin drejt detit, ndërsa ndodhemi në fillim të sezonit turistik, Kavaja, sipas kryeministrit Sali Berisha duhet të jetë në qendër të përpjekjeve për ta bërë turizmin bregdetar të këtij qyteti, ndër më të rëndësishmit.

Pikërisht inaugurimi i një rruge të re, ajo që lidh zonën bregdetare të Spillesë me Kavajën, e ka rikthyer kryeministrin në këtë qytet ku ai ka kandiduar dhe fituar për shumë mandate si deputet i Kavajës.

Kjo rrugë që i kushtoi buxhetit të shtetit 300 milion lekë, ka një gjatësi prej 15 kilometrash dhe gjerësi 7,5 metra, e pajisur në të dyja anët me trotuare dhe ndriçim.

Mandej kryeministri inauguroi edhe rrugën e re të fshatit Luz, e gjatë 1 kilometër, për të cilën u dhanë nga buxheti i shtetit 31 milion lekë.

Duke çmuar investimet e larta të bëra në infrastrukturën e fshatrave të bregdetit, si infrastrukturën më moderne kreu i qeverisë Berisha, garantoi banorët se qeveria do të asfaltojë çdo rrugë të këtij rrethi dhe se do të mbështesë të gjitha projektet lokale që ndikojnë drejtpërsëdrejti në përmirësimin e cilësisë së jetës për banorët e zonës.

“Inaugurimi i kësaj rruge sot, përbën një mbështetje të fuqishme të zhvillimit të turizmit të Kavajës turistike, e cila njësoj si me futbollin e saj duhet të dalë në krye të turizmit dhe suksesi i Kavajës, por edhe ndërtimi i rrugës së Luzit me Kavajën ka një rëndësi të madhe, pasi kjo komunë është një ndër komunat më të rëndësishme bujqësore të vendit, një nga furnizuesit kryesorë të tregut të Golemit, Durrësit, Spillesë dhe Kavajës”, deklaroi kryeministri Berisha përpara luzianëve.

Më tej, kreu i qeverisë, duke theksuar se 2010, është viti i arritjeve të mëdha, nënvizoi në fjalën e tij, se vendimi i KE për heqjen e vizave përbën vendimin më miqësor, më të rëndësishëm që Europa ka marrë ndonjëherë në tërë historinë e kombit shqiptar, një vendim që përbën vlerësimin më të madh, pas anëtarësimit në NATO.

“Reformat e ndërmarra nga qeveria morën shpërblimin më të merituar, ndaj dhe sot kemi shumë arsye të ndjehemi më krenarë se kurrë me njëri-tjetrin, me Kavajën, me Shqipërinë, pasi ne jemi shoqëri e hapur, e lirë, dhe do të respektojmë gjithmonë të drejtat e çdo qytetari, të çdo force politike, por ne nuk na lidh asgjë, me bunkerët, as me kutitë”, shtoi në tubimin e me banorët e Luzit, Berisha.

“Ne nuk po e përdorim as për retorikë, as për demagogji, procesin e integrimit. Ne po e shndërrojmë këtë proces në reforma, në infrastrukturë, në rrugë të reja në shkolla të reja, në zona të reja turistike. Ne po e shndërrojmë këtë proces në heqje vizash, në lëvizje të lirë për mbarë qytetarët shqiptarë”, deklaroi kryeministri.

Duke renditur investimet në Kavajë si 13 herë më të mëdha se sa gjatë qeverisjes së mëparshme, kreu i qeverisë Berisha u premtoi qytetarëve të Kavajës së “kjo qeveri do të rindërtojë të gjitha shkollat e rrethit, do të bëjë që Kavaja të qëndrojë në krye të përpjekjeve për integrimin e saj dhe të Shqipërisë në BE.”

mit/NOA

KOMENTE