English

Fratini: Shqipëria Dhe Bosnja, Pa Viza Brenda Këtij Viti

SARAJEVË, 2 Qershor/ATSH-Almarina Gegvataj/.- Ministri i Jashtëm i Italisë, Franko Fratini u shpreh optimist të mërkurën lidhur me liberalizimin e vizave për Shqipërinë dhe Bosnje Hercegovinën, një vendim që siç u shpreh ai "pres të hyjë në fuqi para dimrit të këtij viti". Para nisjes së Samitit të Sarajevës me pjesëmarrjen e 50 delegacioneve nga vende te rajonit, përfaqësues të 27 vendeve anëtare të BE-së, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Rusisë, ministri Fratini tha se "pres një përkushtim ambicioz që do të marrë BE-ja bashkë me SHBA dhe Rusinë. Ne po afirmojmë përkushtimin tonë, që i gjithë Ballkani perëndimor të integrohet në BE". Ai vlerësoi afatin kohor për liberalizimin e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjen duke nënvizuar se "pres që kjo të hyjë në fuqi para dimrit." Samiti i Sarajevës, i organizuar nga Presidenca Spanjolle me mbështetjen e BE-së, synon të riafirmojë angazhimin e Bashkimi Europian ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe perspektivës së tyre evropiane. Në përfundim të tij pritet të ketë një deklaratë zyrtare që do të publikohet nga Presidenca spanjolle e radhës e BE-së. Gjithashtu pjesmarrës në këtë samit të rëndësishëm janë edhe përfaqësuesja e lartë për Çështjet e Jashtme në KE, Catherine Ashton dhe komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle, që pritet të konfirmojnë edhe një herë angazhimin e Bashkimit Evropian ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor. Shqipëria përfaqësohet në këtë samit nga zv/kryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, që pritet të takohet me homologun e tij britanik, William Hague, komisioneren Ashton dhe komisionerin Fyle menjëherë pas përfundimit të samitit. Në samitin e Sarajevës është i pranishëm edhe Ministri i Jashtëm kosovar, Skënder Hyseni. /k.sh/
KOMENTE